Bosnje dhe Hercegovina ka bllokuar me anë të barrierave jo-tarifore eksportin nga Kosova.
Kështu është bërë e ditur me anë të një komunikate nga kompania “Vita” të cilët kanë bërë të ditur se janë duke u bllokuar me barriera jo-tarifore për eksportin e produkteve në territorin e Bosnjes, duke mos u respektuar marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë.
“Kompania Vita si lider dhe themeluesi i industrisë së qumështit në Kosovën e pas luftës është duke u bllokuar me barriera jo tarifore të eksportoj produketet në territorin e Bosnjës dhe Hercegovines duke mos respektuar marrëveshjet regjionale të Tregtisë së Lirë dhe duke i shkaktuar dëme ekonomike direkte vendit tonë.”, thuhet në komunikatë.
Kompania ka shprehur shqetësimin me procedurat burokratike që i kanë cilësuar diskriminuese për bllokimin e eksportit.
Këto veprime të Bosnjes dhe Hercegovinës janë në kundërshtim me parimet e CEFTA-s për tregti, ku edhe Bosnja ka nënshkruar dhe në kundërshtim me qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave si frymë e bashkëpunimit regjional.
“Vita” ka bërë tentime për të komunikuar me institucionet e Bosnjës në mënyrë që produktet e Kosovës të trajtohen njëlloj siç trajtohet importi i produkteve të Bosnjës në Kosovë, por thonë se janë injoruar.
“Ne kemi bërë tentime të vazhdueshme me institucionet e Bosnjes dhe Hercegovines në mënyrë që të kemi trajtim të njëjtë siç kanë produket e importuara nga Bosnja në vendin tonë, siç është qumështi MIGI, Milko, Megle dhe shumë produkte të tjera ushqimore, mirëpo deri më tani vetëm jemi injoruar dhe bllokada vazhdon.”, thotë komunikata.
Kompania “VITA” ka bërë apel tek institucionet relevante të Kosovës të marrin masa në mënyrë që të vendosin barazi në mënyrën e trajtimit të tregtisë midis dy shteteve.
“Prodhuesit vendorë janë duke bërë përpjekje jashtëzakonisht të mëdha në sigurimin e tregjeve dhe ngritjen e eksportit, bllokadat e tilla nga vendet e regjionit janë duke e dëmtuar vendin tonë si në të hyra tatimore ashtu edhe në sigurimin e një mirëqenie për qytetarët tanë. Shpresojmë që institucionet tona të marrin masa sa më shpejt që të aplikohen parimet e trajtimit të barabartë në Tregti të Lirë”, thuhet në komunikatë.
Sipas të dhënave të bilancit të tregtisë mes dy vendeve, Kosova importon përafërsisht 66 milionë euro nga Bosnja, ndërsa Bosnja vetëm 11 milionë nga Kosova. /Paparaci.com/