Avni Rudaku
1-Prilli në Kosovë
Pasi që 1-Prilli, ose “Gënjeprilli” nuk dihet saktë kur filloi as në Evropë, pasi ka shumë interpretime e data të ndryshme të origjinës, edhe më pak mund të dihet kur filluan saktë të bëheshin gënjeshtra me shkas këtë ditë në Kosovë. Por nga rrëfimet orale, me më të moshuarit e lindur edhe në vitet e ’50-ta të shekullit XX, pak pas Luftës së Dytë Botërore, që në shkollë fillore, që atëbotë kanë bërë shaka me njëri-tjetrin, dhe kur dikush ka gënjyer diçka, pasi ‘tjetri’ apo ‘tjetra’ e ka pranuar mesazhin pa e ditur menjëherë vërtetësinë e saj apo jo, dhe kur gënjeprilltari i ka treguar menjëherë ose pas pak sekondash, minutash apo orësh, atij/asaj, atëherë ia ka kthyer: Aprili-aprilili! Pra, shakatë për 1-Prillin, kanë filluar që herët edhe në Kosovë, por natyrisht kjo është ndikuar dhe bartur nga shakatë e përhapura gjithandej Evropës Perëndimore edhe në Ballkan, e rrjedhimisht edhe në Kosovë, nga ardhja e kësaj feste mahie sikurse edhe shumë festave të tjera, nga Evropa e bota. Kosova e sunduar herët nga Perandoria Romake e Bizanti, Bullgaria e shekullit IX, Mbretëria Serbe në Mesjetë, Perandoria Osmane, Austro-Hungaria e Bullgaria gjatë Luftës së Parë Botërore, më pas nën Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, në Luftën e Dytë Botërore nën nazistët gjermanë e bullgarët dhe periudha e shkurtër dyvjeçare e “bashkimit kombëtar” me Shqipërinë e okupuar nën sundimin italian fashist, e pas Luftës së Dytë Botërore nën Jugosllavinë komuniste e socialiste, natyrisht se është ndikuar kulturalisht dhe folklorikisht edhe nga këto pushtime e sundime, duke u bartuar përmes të huajve edhe poemat evropiane, franceze, flamandeze (holandeze), angleze etj., të Mesjetës evropiane, me kode tematike biblike, nga përplasjet e “Lindjes” e “Perëndimit” për pranimin ose refuzimin e kalendarit julian (romak) e gregorian (pas Këshillit katolik të Trentit 1545-1563 në Italinë Veriore, që lindi edhe si nevojë për kundëraksion ndaj protestantizmit), konfliktet e katolikëve e protestantëve dhe qendrat evropiane të kohës. Kosova nuk ka qenë e izoluar kulturalisht nga ato që ndodhën në Evropë, pasi që ka qenë kontinentalisht afër Italisë, Francës, Holandës, Anglisë, prej nga besohet që kanë rrjedhur mitet e 1-Prillit.
1-Prilli pas vitit 1999 në Kosovë
Pas vitit 1999, prania e ushtarëve e civilëve ndërkombëtarë (KFOR, UNMIK, OSBE etj.), globalizmi, masmediet, trendët e rinj nga mediet sociale, udhëtimet brenda e jashtë vendit të kosovarëve, emigracioni lartë e masiv, kanë ndikuar që 1-Prilli në Kosovë të zgjerohet, masivizohet kudo dhe nga të gjitha grupmoshat, sekset, gjinitë, profesionet, statusi social etj. Tashmë 1-Prilli është globalizuar, i njohur anglisht edhe si: “April Fool’s Day” (lexo semantikisht si njihet sot festa e mahisë duke gënjyer: Dita e Gënjeshtrave, kurse bukvalisht: Dita e të Marrëve/Budallenjve të Prillit). Në aspektin sociologjik, nëse gënjeshtrat kanë ndodhur para 50 vjetësh me shkas 1-Prillin, ato janë bërë kryesisht ndërmjet vetë fëmijëve, ose bashkëmoshatarëve, ose brenda rrethit të ngushtë familjar, kurse pas transformimeve të mëdha të farefisit e familjes kosovare që ndodhën pas vitit 1999, shakatë bëhen gjithandej, qoftë në mes të bashkëmoshatarëve, qoftë në mes të fëmijëve e më të rriturve apo më të moshuarve, qoftë në çift, qoftë gruaja bën mahi me burrin, që dallon dukshëm nga më parë. Dikur në shoqërinë kosovare, me më të moshuarit, duhej treguar më shumë respekt, rrjedhimisht, më pak gënjeshtra e shaka, ose ishte e vështirë që gratë të bënin shaka për 1-Prillin me burrat e tyre patriarkalë, ose vjehrrinë në një shoqëri tradicionale, konservatore e të sforcuar patriarkalisht, kur nuk i thirrnin partnerët e tyre as në emër personal. Tashmë 1-Prilli bëhet kudo në Kosovë, me këdo dhe pa ndonjë pengesë, madje edhe masmediet lansojnë ndonjë lajm, duke paralajmëruar në fund se, ishte mahi e 1-Prillit. Komercializmi, konsumi masiv, klikueshmëria e monetarizuar në globalizëm, kapitalizëm e teknologji të avancuar, vetëm i kanë forcuar festat dhe reklamat për to, përfshirë edhe 1-Prillin. Sidoqoftë, kjo ditë nuk është festë zyrtare, pasi shtetet e shoqëritë nuk duan në aspektin etik, ta legjitimojnë qoftë edhe për një ditë, për të gënjyer.
ChatGPT dhe 1-Prilli
Nëse e pyesim një ChatGPT të Inteligjencës artificiale, pse ka mbetur tradita e 1-Prillit, do të na jepte këtë përgjigje: “Dita e 1 prillit është një ditë kushtuar shakave praktike. Ajo festohet çdo vit më 1 Prill dhe njerëzit bëjnë shaka me njëri-tjetrin, tregojnë shaka dhe në përgjithësi përpiqen ta bëjnë njëri-tjetrin për të qeshur. Origjina e festës është e paqartë, por besohet se ka filluar në Evropë gjatë Mesjetës. Sot, 1 prilli festohet në mbarë botën me tradita dhe zakone të ndryshme, por qëllimi është gjithmonë i njëjtë: të argëtohemi dhe t’i bëjmë njerëzit të qeshin. Respektimi modern i Ditës së Gënjeprillit besohet se është ndikuar nga miratimi i kalendarit gregorian në shekullin e 16-të. Para se të futej kalendari gregorian, Viti i Ri festohej më 1 Prill në shumë pjesë të Evropës. Megjithatë, kur kalendari i ri u miratua, dita e Vitit të Ri u zhvendos në 1 janar. Disa njerëz vonuan ta pranonin këtë ndryshim dhe vazhduan ta festonin Vitin e Ri më 1 Prill. Të tjerë bënin shaka me këta tradicionalistë, duke i dërguar në “marrëzi” apo duke i mashtruar në mënyra të tjera. Me kalimin e kohës, kjo evoluoi në traditën moderne të Ditës së Gënjeprillit.” (Ask AI. Aplikacion celulari. Pyetje e A.R. për robotin AI më 23 mars 2023, ora 15:34: Pse festohet Dita e Gënjeshtrave?) Shumë shpejt manualet e citimeve dhe referencave, do të diskutojnë se a mund të citohet përgjigjja e AI-së në punime shkencore apo publicistike, por unë po e bëj këtë për këtë intervistë, ndoshta për herë të parë! Por a përfundon e tërë kjo me këtë përgjigje të AI-së? Natyrisht se AI është e kufizuar vetëm me informacionet që qarkullojnë në internet dhe me disa algoritme të krijimit të përmbajtjes logjike, por i mungojnë operacionet e të menduarit njerëzor si: analiza, sinteza, krahasimi, abstraksioni dhe përgjithësimi. Ka edhe disa shpjegime të tjera të origjinës se 1-Prillit në bazë të asaj që kam hulumtuar.
Datat e lindjes së mundshme të 1-Prillit
Janë këto data dhe vende me rëndësi të origjinës së 1-Prillit: 1392 (Angli, nga poema e tipit përrallor), 1508 (Francë, poema për Satanin dhe Luciferin), 1530 (Gjermani, vendimi i shtyrë për valutën e parlamentit të Augsburgut të Bavarisë së sotme), 1561 (Holandë, poema komike), 1559 (Francë, traktati i paqes nga kriza ekonomike dhe lodhja me luftëra ndërshtetërore dhe brendareligjioze, katolikë-protestantë) dhe 1582 (Itali, vendimi i Papës katolik për ndryshimin e kalendarit julian me atë gregorian dhe mospranimin i menjëhershëm i këtij vendimi të Papës, veçmas nga protestantët dhe ortodoksët). Në vitin 1392, Xhefri Qoser e bëri poemën “Përralla e priftit të murgeshës”, të cilën e kam lexuar në origjinal. Qoser u lind në Londër, djali i një vreshtari, rreth mesit të shekullit XIV, njihte disa gjuhë dhe njihte mjaft mirë astronominë, mjekësinë, fizikën dhe alkiminë. Poema bën fjalë, se si na ishte shumë kohë më parë, një e ve e varfër e vjetër, në një vilë të vogël, e cila kishte bërë një jetë shumë të thjeshtë, e kënaqur me atë që dërgoi Perëndia, duke e mbajtur veten dhe dy vajzat e saj me shumë sfida. Më pas, poema si përrallë vazhdon: “Tani kur muaji në të cilin filloi bota, Marsi/ muaji i parë kur Zoti krijoi njeriun/mbaroi dhe dita e tridhjetë e dytë/më pas përfundoi, më 3 maj/ndodhi që Shantiklliri me gjithë krenarinë e tij/shtatë gratë e tij shoqëruese pranë tij/hodhi sytë lart drejt diellit flakërues/në shenjën e Demit…, ku mashtrohet nga një dhelpër për 32 ditët e muajit mars, pra 32 ditë që nga fillimi i marsit, që është 1 prilli.”(f.9) Poema mund të ishte me figura stilistike letrare të kohës, me plot metafora, simbolika e alegori, për ndonjë ngjarje në rrethin mbretëror anglez, për ndonjë fejesë a martesë në oborrin mbretëror, por kjo u shkëput bukvalisht dhe iu atribua 1-Prillit. Në vitin 1508, Eloy d’Amerval, një kompozitor francez, botoi një poemë të titulluar Le livre de la deablerie, që fliste për një dialog mes satanit dhe luciferit, e ku në njërin nga vargjet është edhe kjo fjali: “Maquereau infâme de maint homme et de mainte femme, poisson d’avril”, ku togfjalëshi “poisson d’avril” përdoret si “peshku i prillit”, që mund të ketë dy kuptime: 1-prillin, ose një person budalla. Edhe në përditshmërinë kosovare, kur themi: e ka trurin e peshkut, e merr kuptimin “pa tru”, ose budalla. Edhe në gjuhën angleze, njihet si Festë e Budallenjve të Prillit. Shkrimtari flamand Eduard De Dene botoi një poemë komike në vitin 1561 për një fisnik i cili bëri një plan për të dërguar shërbëtorin e tij në punë absurde më 1 prill, kinse për të ndihmuar në përgatitjen për një festë dasme. Shërbëtori e kuptoi se ajo që po i bëhej atij ishte një shaka e 1-Prillit. Poema titullohet “Refereyn vp verzendekens dach/Twelck den eersten April te zyne plach.” Në rreshtin mbyllës të çdo vargu, shërbëtori thotë: “Kam frikë… se po më thua ta bëj një punë budallai.” Edhe këtu, nuk e merr kuptimin e gënjeshtrës, por të marrëzisë. Në vitin 1530, Parlamentit i Augsburgut të Bavarisë – vend i famshëm i familjes së bankierëve Fuger, po unifikonte një monedhë, ku edhe pse u vendos dita e valutës më 1 prill, u shty vetëm pak orë para se të hynin më 1 prill dhe kjo bëri që njerëzit t’i humbnin paratë e tyre dhe filluan shakatë e 1 prillit për ta. Më 2 e 3 prill 1559 u bë edhe traktati i paqes Cateau-Cambrésis në Francë, që ndërlidhet me Italinë, Francën dhe Spanjën nga kriza ekonomike e politike. Ka qenë edhe një histori interesante e shpjegimit të origjinës së 1-Prillit, të publikuar në agjencinë prestigjioze të lajmeve, Asoshiejtëd Pres, në vitin 1983, nga profesori Jozef Boskin, i cili kishte deklaruar se, “gënjeprilli e ka origjinën gjatë sundimit të Kostandinit, kur humoristi Kugel i tha Konstandinit se ai mund ta qeveriste më mirë perandorinë. Kostandini ia mundësoi Kugel-it të bëhej perandor për një ditë, vetëm për 1 prill, të cilën Kugeli e shpalli ditën e gënjeshtrave…” Më pas, media e njohur u kërkoi falje lexuesve, pasi Boskin e kishte bërë këtë gënjeshtër të bukur, për shkak të 1-Prillit, por nuk kishte të bënte asgjë me shpjegimin shkencor mbi origjinën e festës së gënjeshtrës.
Origjina evropiane e 1-Prillit
Origjina e 1-Prillit me të dhënat e deritashme letrare, folklorike, religjioze dhe kalendarike-astronomike, na bëjnë të kuptojmë se, vetë origjina e kësaj dite të shakave të panumërta e herë të rrezikshme, vjen o nga Holanda, o nga Anglia, o nga Franca, o nga Italia, o nga sintetizimi i ngjarjeve historike, kalendarike, religjioze e politike në truallin e kontinentit evropian fill pas përfundimit të Mesjetës, ose në Mesjetën e Vonë, ose në Epokën e Renesancës (Rilindjes evropiane). Pra, në Evropë ndodh e njëjta, sepse pikërisht aty dominojnë faktet për origjinën e 1-Prillit. Vetë gënjeshtrat lindin nga nevoja për të mos pranuar gabimin, për të qetësuar të tjerët, për të mos pranuar ndëshkime të çfarëdo lloji, për t’u ndjerë më mirë, për të fuqizuar relacionet interpersonale, për të shmangur qortimin, për vëmendje, për të fituar shpërblime etj. Por 1-Prilli më shumë lindi si nevojë për të përqeshur kundërshtarët që vazhdonin avazin e vjetër kalendarik për vit të ri e festa fetare nga mbështetësit e pushtetit që kishin vendosur për një kalendar të ri. Festa e mahisë mbahet në vende e kultura të ndryshme dhe origjina e saj nuk është krejtësisht e njohur, ndonëse ka lloj-lloj interpretimesh. Gënjeprilli do të shuhej ndoshta, sikur edhe të mos vinte në epokën e medieve sociale, medieve të shumta private e publike, duke u përforcuar me lloj-lloj kreativiteti. Kemi vegla e mjete digjitale, përmes të cilave, njerëzit ngarendin dhe vuajnë që për çdo ditë të kenë aftësi për kreativitet, veçanti, risi, shaka, klikim, ndarje dhe disa edhe shpërblehen me tërheqjen e audiencës, duke fituar edhe mjete financiare. Arsyeja e parë është: nevoja e një grupi pushtetarësh (vendimmarrësit dhe përqafuesit e kalendarit gregorian, p.sh., Papa si autoriteti suprem i katolikëve në botë), e veçmas të Evropës Perëndimore e Veriore, ndaj refuzuesve të kalendarit gregorian dhe mbetjes më konservatorë duke e ruajtur kalendarin e vjetër julian për 1600 vjet, përkatësisht rezistenca fillestare e protestantëve perëndimorë dhe ortodoksëve të Evropës Lindore ndaj Papës. Arsyeja e dytë është, nga përplasja dhe konflikti i madh i hershëm i katolikëve me protestantët, pasi katolikët e përdorën edhe talljen (1-Prillin) për protestantët, si heretikë që lindën dhe kundërshtonin autoritetin e Papës. Arsyeja e tretë, nevoja e pushtetarëve për ta përdorur talljen ndaj kundërshtarëve, rivalëve, heretikëve, rebelëve, revolucionarëve. Njësoj siç bënte dikur humor Hashim Thaçi me pushtet me rivalin e tij politik Ramush Haradinajn: “Bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë! HTH”. Njësoj siç bën sot Albin Kurti me rivalët e tij, Lumin Abdixhikun e Memli Krasniqin, duke ua cituar Skënder Hysenin e Ganimete Musliun! Pra, Kisha ishte tronditur nga heretikët e kohës – protestantët, të cilët filluan të thirrin besimtarët në një formë shumë të thjeshtë të krishterimit, bazuar në leximet fjalë për fjalë të Biblës dhe kundërshtonin strukturën e pushtetit të Kishës Katolike. Fakti që Kisha ndjeu rrezik, vetë Papa si autoriteti më i lartë i botës katolike, i shtyu ndjekësit e tij (katolikët), të talleshin me protestantët. Protestantët kishin mendim të kundërt nga interpretimi zyrtar ose popullor i Papës, dhe herezia ishte në vetvete e dënueshme si tradhti – sepse përmbyste autoritetin e kishës nga brenda. Ndoshta 1-Prilli nga ajo që kam analizuar, është shaka e prodhuar nga Kisha Katolike ndaj heretikëve protestantë, ose atribuim i “ithtarëve të kalendarit gregorian” ndaj “ruajtësve të kalendarit julian”, ose njëfarë cinizmi, satire, e katolikëve kundrejt protestantëve dhe ortodoksëve që e pranuan shumë vonë kalendarin gregorian dhe diferenca e disa ditëve me kalendarin julian për festa fetare e fillim të vitit të ri, ose përplasje në mes të “nostalgjikëve të Perandorisë Romake” dhe “bizantinofilëve”; ose lidhet direkt me ekuinoksin pranveror, si shumë festa që dolën pikërisht nga meteorologjia, moti, koha e mbjelljeve e korrjeve, falënderimet për Perëndinë pas lindjes së drithërave (bujqësisë), astrologjia, fenomenet astronomike, e veçmas me solsticin veror e dimëror, lëvizjet e diellit, ndryshimet hënore etj. Për sa ka fakte deri më tash, shpjegimi më i besueshëm mbetet që Dita e Gënjeshtrave të Prillit daton në vitin 1582, kur Franca kaloi nga kalendari Julian në kalendarin Gregorian, siç kërkohej nga Këshilli i Trentit në 1563. 1-Prilli lidhej me ekuinoksin pranveror 19, 20 e 21 mars, e diku më 25 mars, varësisht nga viti dhe kalendari, pasi që me kalendarin julian, në çdo vit të katërt pa përjashtim, kemi një ditë të brishtë. P.sh., nëse unë po ua dërgoj përgjigjet më 24 mars 2023 me kalendarin gregorian, me kalendarin julian është 11 mars 2023. Më 25 mars me ekuinoksin pranveror fillonte viti i ri, e diku i binte një javë pas, që sillet rreth 1 prillit. Kalendarin julian ende e përdorin sidomos në liturgjinë fetare, ortodoksët lindorë. Kalendari julian ishte pranuar gjithandej Perandorisë Romake dhe më pas në pjesën më të madhe të botës perëndimore për më shumë se 16 shekuj, deri në vitin 1582, kur Papa Gregori XIII kërkoi një ndryshim. Kalendari gregorian për shkak të autoritetit të Papës, u pranua fillimisht vetëm në vendet katolike si Italia, Spanja, Portugalia, Polonia etj., e më vonë u pranua në ato protestante, shumë vonë në ato ortodokse, për të mos thënë, në këto të fundit, nuk u pranua kurrë tërësisht, së paku në ritualet dhe festat fetare ortodokse. Madje, edhe kur shtetet e Evropës Lindore e pranuan kalendarin gregorian në shekullin XX, kishat e tyre kombëtare nuk e pranuan. Edhe sot Krishtlindjet Ortodokse ose Pashkët, festohen në shumë kisha e shtete, në data të ndryshme nga ato katolike. Ditëlindja e Krishtit te katolikët më 25 dhjetor, kurse në ato ortodokse-lindore, kryesisht më 7 janar të vitit tjetër. Njësoj edhe ringjallja e Krishtit, kryesisht në dekadën e fundit, është festuar në muajin prill. Ngjashëm siç ka shaka herë pas herë, kur ora ndryshon një orë përpara, ose një orë mbrapa, kur vjen stina e dimrit me netët më të gjata, ose kthehet stina e verës me ditët më të gjata, ngjashëm ka gjasa që lindi 1-Prilli, me mahi e gënjeshtra për shkak të kalimit të vështirë (tranzicionit) nga kalendari julian në atë gregorian dhe dallimet e tyre fillestare me një javë, që i binte o 25 mars, o 1 prill. Pranimi, ngurrimi ose refuzimi i kalendarit gregorian, kishte të bënte me refuzimin e protestantëve dhe ortodoksëve për të pranuar autoritetin e Papa Gregorit që mori vendim. Pra, më shumë se çështje kalendari, ishte çështje politike, kulturore dhe religjioze. Nëse ndryshonte kalendari, a të vazhdohej të festohej lindja e ringjallja e Krishtit, me kalendarin julian, si më parë, apo me kalendarin gregorian. Pra, 1-Prilli më shumë ka gjasa të ishte krijuar nga katolikët kundrejt protestantëve gjatë tranzicionit kalendarik nga ai julian në atë gregorian, e që më vonë do të merrte karakterin universal, si shaka, e do të sekularizohej festa e mahisë. Pra, sot, 1-Prillin e përqafojnë si ditë e mahisë e “prenkave”, pjesëtarët e shumicës së feve, kulturave, shteteve. Tashmë është festë e globalizuar e mahisë, sidomos nga ndikimi i internetit, globalizmit dhe komercializmit. Ngjashëm me festën e Vitit të Ri, ose edhe shumë festa të tjera. Ka mundësi të jetë ndikuar edhe nga ndikimet letrare të poemave të lartpërmendura, pasi që atëbotë nuk ishim në kohën e skrollokracisë, videokracisë e imazhokracisë, ku roli i shkrimtarëve, letrarëve, filozofëve, ishte më me ndikim e autoritet, sesa sot që kemi dekonstruktim të çdo intelektuali, shkrimtari, autoriteti, figure, nga hyrja në skenë edhe e “masave të gjera”, influencerëve, bllogerëve, vlogerëve, tiktokistëve etj.