Shkruan: Dr. Enver Sadiku
Duke qenë që nga themelimi qytet nën sundimin e Perandorisë Osmane, Gjilani në fillim të shekullit XX kishte marrë pamjen e një qyteti oriental-islamik që karakterizohej me dendësi të shtëpive, oborre të rrethuara dhe me dyqane të vogla dhe të shpeshta. Ato ishin të vendosura kryesisht rreth Xhamisë së Madhe. Rrugët e qytetit ishin të ngushta, jo të drejta e të shtruara me kalldrëm, kurse objektet më karakteristike të qytetit ishin xhamitë, shatërvani, hamami, teqetë, tyrbet, sahat-kulla e çezmat publike.[1]
Deboji – depot e municionit të ushtrisë osmane në Gjilan e fillimit të shek. XX (ish- Qendra Rajonale për Punësim dhe Selia e degës së LDK-së).
Sipas sallnameve* të Vilajetit të Kosovës për fundin e shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, në brendi të qytetit kishte dy xhami, një medrese, një teqe, një kishë dhe shkollat. Qyteti kishte afër 1000 shtëpi, 20 hane e një hamam, 242 dyqane, një magaze, dy mullinj etj. Në gjithë kazanë kishte 28 shkolla, prej të cilave 24 ishin islame dhe katër të krishtera, të besimit katolik e ortodoks. Gjilani kishte edhe një spital me 20 shtretër. Në dalje të qytetit kishte dy rrugë, ku njëra lidhej me Prishtinën e tjetra me Preshevën, e përgjatë këtyre rrugëve kishte edhe vijë telegrafike.[2] Ishte edhe kazerma, e Gjilani kishte edhe konakun e hyqmetit, konakun e redifëve (rezervistëve) dhe debojin (depo e municionit). Në vitin 1912, ishin dy depo të tilla të municionit, sikurse që në Gjilan ishte edhe komanda ushtarake e redifëve.[3]
Tregu i kafshëve në Gjilan.[4]
Në mes të Gjilanit dhe skaj shumë shtëpive të Gjilanit kalonte lumi Banja dhe me të pastroheshin lagjet dhe ujiteshin kopshtet. Uji i pijshëm në qytet vinte me qyng prej katundit Koretishtë dhe shpërndahej me anë të disa çezmave dhe ky ujë ishte shumë cilësor.[5]
Depo e vjetër osmane e municionit (ish-ndërtesa e gjimnazit në Gjilan).
Sipas sallnameve të Vilajetit të Kosovës për fundin e shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX, në Gjilan kishte një medrese me 60 nxënës e një medrese ishte në fshatin Dobërqan me 30 nxënës, një shkollë Ruzhdije (Progjimnaz) katërvjeçar me 70 nxënës, pesë ibtiadije (shkollë fillore, tri për djem dhe dy për vajza) me 335 nxënës, kurse ibtiadije kishte edhe në dhjetë fshatra më të mëdha të kazasë, në Moravën e Epërme në 11 fshatra, në Moravën e Poshtme në 10 fshatra, në Gallap në 7 fshatra dhe në Karadak në 3 fshatra. Mësimi mbahej në gjuhën turke dhe në atë arabe dhe më tepër kishte karakter fetar, kurse lëndët me karakter laik më tepër kishin karakter formal. Me ardhjen e pushtetit serb më 1912, u mbyllën të gjitha shkollat, përveç medresesë së Gjilanit. Në Gjilan kishte edhe një shkollë krishtere-ortodokse katërklasëshe për djem e vajza si dhe pesë shkolla fillore krishtere-ortodokse në fshatrat serbe.[6]
Qendra e Gjilanit.[7]
*sallname/-nia (pers. sal – vit + name – shkrim, libër, vepër; tur. salname – vjetar, kalendar) Ndreca, M. 1986. Fjalor fjalësh e shprehjesh të huja. Prishtinë: Rilindja, f. 621
[1] Selmani, A. 1998. Gjilani me rrethinë 1908 – 1912. Prishtinë: Dritapress, f. 30.
[2] Arkivi i Institutit të Historisë në Tiranë (AIH), Fondi dokumente të sjella nga Arkivi i Stambollit (AS) dhe të përkthyera në shqip – Sallnameja e ndarjes administrative dhe territoriale të Perandorisë Osmane në vitin 1899, A-IV-93, f. 36.
[3] Selmani, A. 2010. Gjilani në gjysmën e dytë të shek. XIX dhe fillim XX. Vjetar 43-44. Prishtinë: Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. f. 282 – 283.
[4] Foto e shkrepur nga Frederik de Buasona (Frédéric de Boissonnas 1858 – 1946), fotograf i njohur zviceran. Ai me origjinë ishte nga Gjeneva dhe pas vetit ka lënë një koleksion të fotografive që kanë një vlerë të madhe dokumentare dhe artistike. Photographies de Fred. Boissonnas, introduction de D. Baud Bovy, Genève, Editions d’Art Boissonnas, 1919.
[5] AIH, AS, A-IV-93, f. 36.
[6] Selmani, A. art. i përm., f. 281 – 291.
[7] Foto gjendet në Arkivin Ndërajonal në Gjilan.