Njëra nga organizatoret e Marshit për Drejtësi, Eliza Hoxha në fjalimin e saj të mbajtur në këtë marsh ka thënë se gjatë organizimit të këtij marshi, ka rijetuar edhe një herë historinë e dhimbshme të popullit tonë, raporton Gazeta10.
Tutje Hoxha ka thënë se UÇK-ja e thirrja për drejtësi na bashkon.
“Këto fitore epokale, do të ishin të pamundur pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e pjestarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës. Gjatë këtyre dy javëve, anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismajlin e kam rijetuar historinë tonë. E kam ndjerë në dhimbjen e nënes Ferdonije, në guximin e Shyhretes dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit, në qëndresën e bacës Shaban. E kam parë dhe ndjerë sa e gjallë dhe sa e hapur vazhdon të jetë plaga jonë, dhe thirrja për drejtësi. Përulësisht, ju falenderoj nga zemra që jeni me ne sot. UCK na bashkon. Të gjithëve. Pa dallim. Thirrja për drejtësi na bashkon. E unë jam e bindur se ky shesh do të bucojë sërish, në ditën e kthimit të luftëtarëve tanë.”, ka thënë Hoxha.
Tutje ajo ka kujtuar edhe kryeqytetin e para 24 viteve kur shqiptarët dëboheshin nga vendi i tyre.
“Si sot 24 vite më parë, Prishtina ishte shëndrruar në një qytet fantazmë. Lumi i njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paramilitarët serbe kishte mësyer stacionin e trenit. Ai stacion, që ishte i mbyllur për më shumë se dhjetë vite, u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës, në një rrugë pa kthim. Po ne u kthyem, e këto sheshe u mbushën prap, për të festuar clirimin dhe pavarësine. Si fotografe e re atëbotë, i mbajë mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë, shënonim ato fitore të mëdha.”, ka thënë ajo.
Ideatori tjetër Ismail Tasholli ka sjellur një rrëfim në fëmijërinë e tij, që sipas tij, dëshmoi se sa ishin të rëndësishëm ushtarët e UÇK-së.
“Unë kam qenë 13-vjeç kur për herë të parë kam pa në uniformë ushtarin e UÇK-së. Axha Nagip. Si fëmijë nuk arrija ta kuptoja krejt peshën e asaj që po ndodhte për një gjë ishte e qartë për mua atë botë, si në filma epik ishte një betejë mes të mirës dhe të keqes. Mes lirisë dhe robërisë. Mes jetës dhe vdekjes. Unë sikurse të gjithë moshatarët e kam ndjerë në palcë pabarazëinë, mbylljen e shkollave, dëbimin nga shtëpia. E ushtari i lirisë e kishte marrë trajtën e një super-heroi magjik. Ata në Hagë do të na kthehen fitimtar e faqebardhë. Ne sot u bëmë bashkë dhe siç e shihni doli dielli”, tha Tasholli.