Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e ka parë si shqetësues natalitetin në vend dhe ikjen e mësimdhënësve nga vendi.
Për këtë të fundit, thotë se aktualisht nuk është problem por që me kalimin e viteve mund të sjellë pasoja të mëdha për arsimin në Kosovë.
“Të iu them të vërtetën arsimi i Kosovës është goxha i goditur me këtë, me dy goditje edhe me mungesën e natalitetit por edhe me ikjen fatkeqësisht të pjesës më vitale në Kosovë, e them jemi të goditur tek numri gjithmonë e më i shprehur i rënies së numri të nxënësve”, ka deklaruar Jashari.
Sipas Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përgjatë vitit shkollor 2021/2022 arsimin parauniversitar e kanë braktisur 1 mijë e 384 nxënës.
90 prej tyre arsimin e obliguar (klasa 1-9) dhe 1 mijë e 297 arsimin e mesëm të lartë (klasa 10-12).
Këtë vit akademik krahas atij paraprak 422 nxënës më shumë kanë mbetur jashtë bankave shkollore.
Nga numri total i nxënësve braktisës 94.9 për qind i përkasin komunitetit shqiptar, 2.17 për qind komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, 0.8 për qind boshnjak dhe 0.1 për qind turq.
Ndërsa për nxënësit e komunitetit serbë Ministria e Arsimit ka refuzuar të jap të dhëna.
Për parandalimin e këtyre rasteve, kjo ministri ka marrë masa si zhvillimi i doracakëve për veprim të ekipeve në shkolla dhe inspektorëve, si dhe ka mbajtur sesione nëpër shkolla me qëllim edukimin e stafit të shkollës.
Komuna e Pejës kryeson me 152 nxënës që kanë braktisur shkollën në vitin e kaluar akademik, Drenasi me 109 nxënës, Vushtrria me 92, Prizreni 88, Prishtina 81.