Shteti i Kosovës vazhdon të paguajë shpenzime që lidhen me ish krerët e UÇK-së në Hagë. Deri në fillim të muajit prill, u paguan mbi 17 milionë euro. Më së shumti përfitoi Rexhep Selimi, me mbulueshmëri të shpenzimeve për avokatë dhe vizita të familjarëve të tij.
Për dy vite e pak muaj kur edhe kanë filluar të kryhen pagesa, është tejkaluar shuma prej 17 milionë e 300 mijë euro për shpenzime që Kosova pagoi në çështje që ndërlidhen me Specialen.
Për gjashtë nga tetë ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë, shpenzimet e mbuluara nga shteti i Kosovës tejkalojnë shifrën prej 2 milionë euro.
Në krye të listës me pagesa me të larta, është Rexhep Selimi.
Për ekipin mbrojtës të tij u paguan 2 milionë e 636 mijë euro, kurse për shpenzime që ndërlidhen me vizitat e familjarëve, 42 mijë e 575 euro.
Me disa mijëra euro më pak, Selimi pasohet nga Jakup Krasniqi.
2 milionë e 608 mijë euro shkuan për avokatët e Krasniqit, derisa mbi 41 mijë euro shtetit i kushtoi mbulueshmëria e shpenzimeve për vizitat e familjarëve të tij.
Vetëm për mbrojtjen e Hashim Thaçit u destinuan 2 milionë e 292 mijë euro, ndërkohë që rimbursim të mjeteve për vizitat e familjarëve, vazhdojnë të mbesin zero, për shkak se të njëjtit nuk kanë kërkuar mbulim të këtyre shpenzimeve.
Shifra dy milionëshe për ekipet mbrojtëse, shkuan edhe për Kadri Veseli, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj.
Rrjedhimisht, vetëm për Salih Mustafën dhe Pjetër Shalën, shifrat ende janë tek milionëshi i parë.
Për vizita të familjarëve, ajo e Gucatit u rimbursua në vlerë mbi 36 mijë euro, pasuar nga ajo e Haradinaj 24 mijë euro dhe e Veselit me 21 mijë.
Shifër më të vogël patën familjarët e Mustafës me 15 mijë dhe ajo e Shalës me 14 mijë euro./teve1/