Shkruan: Skender Berisha
Furnizimi me ujë të pijshëm i qytetit të Gjilanit, nga ujësjellësi publik, bazuar në të dhënat e faqes së KRU Hidromorava Sh.A, del se ka filluar aty rreth vitit 1940. Por qyteti në vazhdimësi është rritur dhe kërkesat për ujin janë shtuar.
Është e natyrshme se edhe shërbimet kanë qenë dhe janë të lidhura direkt me obligimet financiare të konsumatorëve ndaj furnizuesit, në këtë rast KRU Hidromorava Sh.A.
Por, sa në të vërtetë shfrytëzohen kapacitetet e ujit që ka Komuna e Gjilanit, respektivisht burimet nëntokësore, dhe sa ka interesim institucioni kompetentë.
Së fundmi kemi një projekt të ri të Komunës së Gjilanit për ndërtimin e një parku te Banja, projekt shumë i mirë, por që shpërfaqi një burim uji, e që ky burim do të ishte dashtë të jetë i shfrytëzuar qysh moti, duke ditur se kjo pjesë e qytetit është një burim uji me sasi relativisht të madhe, dhe gjendet përballë zyrave të KRU Hidromorava Sh.A.
KRU Hidromoravës i humbim sasi të mëdha të ujit nga neglizhenca.
Shpresojmë se kjo neglizhencë e këtij institucioni të rëndësishëm për qytetarët e Komunës së Gjilanit do të përmirësohet, dhe të fillojnë të shfrytëzojnë këto burime që veçse kanë filluar të dalin në sipërfaqe pas një gërmimi të cekët në projektin e parkut të Banjës, dhe këtë sasi të ujit ta orientojnë në përdorim dhe mos të shkojë huq.
Qytetarëve u duhet ofruar shërbimet nga Komuna e Gjilanit, respektivisht KRU Hidromorava Sh.A, dhe sasinë e ujit që ka ky vend dhe shumë burime të tjera në fshatrat përreth, të përpunohen dhe bollëku i ujit nëntokësor të shfrytëzohet pa lënë të humbasë asnjë litër për arsye të ndryshme, e sidomos nga neglizhenca dhe mosdija.