Mjeku dhe patrioti i shquar Fahri Rashidi (Gorani), është pak i njohur në Shqipëri, ku punoi e jetoi dhe aq më pak, ose fare hiq, në vendin e tij të origjinës, në Kosovë, shkruan Mediafokus.info
Sipas shënimeve të arkivave shqiptare, dr Fahri Rashidi, mjek kirurg në Shqipëri, ka lindur në Gjilan, në vitin 1881, në një familje me tradita të larta atdhedashurie.
Kjo ndjenjë, atij do t`i forcohet edhe më tepër nga shoqërimi me bashkatdhetarët e tij që jetonin dhe studionin në Stamboll, në krye me dr Rifat Frashërin dhe miqtë tjerë të shumtë.
Fahriu e kreu Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll, më 1905. I ndihmuar prej patriotit shqiptar Hasan Prishtina, Fahriu shkon në Paris dhe specializohet në lëmin e kirurgjisë dhe ortopedisë, më 1907.
Gjashtë muaj punoi në Stamboll, e më pas shkoi në Prevezë, ku kishte vetëm shqiptarë dhe atje punoi si kirurg, vijon shkrimi i Mediafokus.info
Më vonë kthehet në Pejë e Prizren, ku punoi si kirurg. Më 1914, dr Fahriu ftohet nga doktorët Z. Starja, I. Temo, R. Pobrati dhe kthehet në Durrës, në shërbim të qeverisë së Princ Vidit, me qëllim të stabilizimit të gjendjes së shëndetësisë dhe organizimin e këtij sektori, ku qëndroi dy vjet.
Pas ikjes së qeverisë së Vidit, shkon në Shkodër. Me sugjerimet e dr Frashërit dhe dr Pobratit shkon të punojë në Korçë (1022-1924). Në qeverinë e Nolit ka punuar si ministër i Arsimit, ku hartoi një program strategjik për mënyrën e shkollimit të talenteve të rinj shqiptarë në shtetet e perëndimit.
Edhe në qeverinë e Zogut, dr Rashidi e vazhdoi veprimtarinë e vetë. Me kërkesën e Mbretit Zog shkon në Vlorë, ku emërohet drejtor i Spitalit të Kirurgjisë dhe Neuropsikiatrisë (1926-1932).
Vlora e njohu mirë mjekun kosovar gojëmbël, të qetë e shumë të edukuar. Në Vlorë, dr Fahriun e ndihmoi edhe mjeku popullor dr Xheladini, që gjithashtu ishte nga Kosova, por nuk dihet saktë se nga cili vend.
Më vonë dr Rashidi u caktua drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar, ku qëndroi deri më 1934, kur u tërhoq, meqë edhe Zogu nuk e shihte më me sy të mirë për shkak të lidhjeve të tij me Hasan Prishtinën.
Derisa ishte në krye të kësaj organizate humanitare, vuri lidhje dhe bashkëpunim me organizatat perëndimore.
Vitet e fundit të jetës, punoi këshilltar në klinikën obstetrike-gjinekologjike, të ngritur nga J. Bashko dhe O. Jonuzi.
Kontribuoi për ngritjen e shërbimit tërësor kirurgjikal. Bashkëpunoi me atdhetarë dhe përfaqësues të forcave demokratike, si I. Boletini, B. Curri, F. Noli dhe të tjerë.
Në Shqipëri radhitet ndër figurat e shquara të mjekësisë shqiptare të asaj kohe, vijon tutje Mediafokus.
Mjeku dhe patrioti shqiptar me origjinë nga Kosova, përmendet edhe në një shkrim të ish-kryeministrit Pandeli Majko, të vitit 2012, ku ai flet për Dom Nikoll Kaçorrin, si njeri të lënë në harresë.
Në një pasues të vështrimit të tij, Majko thotë: “Pas dështimit të qeverisë së Ismail Qemalit, imzot Nikoll Kaçorri, së bashku me Luigj Gurakuqin, Fahri Gjilanin (Rashidin-v.j), Themistokli Germenjnin dhe Mustafa Krujën themeloi lidhjen “Për atdhe e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare.
Këtu Majko vë në dukje kontributin dhe atdhedashurinë e mjekut nga Gjilani i Kosovës.
Sa di vendlindja për të?
Mr Sc Isa Shefkiu është njëri nga familjarët e tij më të afërt në Gjilan. Ai hedh më shumë dritë mbi këtë figurë të shquar kombëtare.
Thotë se kjo familje është thirrur Gorani dhe vjen nga Livoçi i Poshtëm, që në Kosovë njihet si galeri e doktorëve.
Asnjë lokalitet tjetër në Kosovë nuk ka dhënë më shumë mjekë se ky fshat. Te rasti i dr Fahriut, që është mjeku i parë nga Kosova, mbiemri i tij Rashidi, siç e gjejmë në arkivat e Shqipërisë, është në të vërtetë emri i babait të tij.
Nga ish-familjarë të tij më të vjetër, Isa ka dëgjuar që mjeku Fahri të ketë qenë në Gjilan gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, por nuk di më shumë për fatin e tij dhe të familjes.
“As ne nuk dimë më shumë për familjen e tij dhe nëse ka lënë pasardhës ose jo, por jemi në kërkim të fakteve tjera për të”, thotë Isa Shefkiu, ish-kryetar i Komunës së Gjilanit, para vitit 1990 dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, që shpalli Deklaratën e 2 Korrikut si dhe Kushtetutën e Kaçanikut.
Por, një gjë, sipas tij, është e sigurt sa i përket Fahriut. Ai është nga Gjilani, saktësisht nga fshati Livoç i Poshtëm.
Rashidi, babai i Fahriut dhe Salihu, stërgjyshi i Isës, kanë qenë kushëri të parë. Njerëzit më të afërm të tij në Gjilan, tani janë familja Shefkiu dhe Salihu.
Flitet se varri i dr Fahri Rashidit (Gorani) gjendet në Prizren, por kjo duhet të konfirmohet.
Në shkrimet e pakta që hasim për të, nuk përmendet askund nëse ai ishte i martuar dhe kishte pasardhës.
Jeta dhe veprimtaria e mjekut të parë kosovar dhe patriotit të madh të çështjes kombëtare, meriton të ndriçohet më shumë, sepse Kosova di fare pak për dr Fahri Rashidin.
Një personalitet i këtij formati nuk meriton të mbetet anonim në vendlindjen e tij./Mediafokus.info