Mbrojtja e Nagip Krasniqit ka kërkuar nga Gjykata e Apelit anulimin e vendimit të shkallës së parë të gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj klientit të saj.
Taulant Ferizi, avokati mbrojtës i kryeshefit të arrestuar të KEK-ut, ka thënë se mbrojtja ka parashtruar ankesë kundër vendimit.
“Ankesë kemi ushtru në Gjykatën e Apelit, tash Gjykata e Apelit brenda disa ditësh duhet me vendos për ligjshmërinë dhe nëse janë plotësu kushtet për caktimin e masës së paraburgimit për z.Nagip Krasniqi”, tha avokati Ferizi të martën për Gazetën Express.
“Ne jemi anku për të gjitha bazat e mundshme të cilat i ka përcaktu Kodi i Procedurës Penale dhe presim një verdikt sa më të drejtë dhe në favor të klientit”, tha avokati.
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua javën e kaluar nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
Krasniqi aktualisht ndodhet në paraburgim.
Njësia e Veçantë e Hetimeve ka bastisur të mërkurën zyrën e Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga ai.