Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ku kanë folur për takimin që pritet të mbahet më 2 maj, në Bruksel.
Lajçak ka thënë se takimi i 2 majit do të jetë hap i rëndësishëm përpara, si dhe ka kërkuar që të shmanget çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën.
“Në Forumin e Dephit takova kryeministrin Albin Kurti, theksova rëndësinë e takimit të dialogut më 2 maj. Do të jetë hap i rëndësishëm përpara dhe është e rëndësishme të shmangët çdo veprim që mund të përkeqësojë atmosferën”, ka thënë Lajçak përmes një postimi në Twitter.
Derisa, Kurti pas takimit është deklaruar se kanë biseduar edhe për zgjedhjet në katër komunat veriore, që janë mbajtur më 23 prill.
Gjithashtu, Kurti ka kërkuar që Marrëveshja Themelore duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt.
“Asnjë parakusht dhe pa vonesa”, ka shkruar kryeministri i vendit.