Partia Demokratike e Kosovës (PDK), anëtarët e saj në Kuvendin Komunal të Gjilanit, sikundër edhe anëtarët e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë braktisur punimet e seancës së sotme, madje duke paralajmëruar se nuk do të marrim pjesë në asnjë seancë te thirrur nga ky kuvend, për një sërë arsyesh.
Riza Abdyli, shef i Grupit të Anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e PDK-së, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në asnjë seancë te thirrur nga ky kuvend, për një sërë arsyesh, duke e parë këtë si një formë të domosdoshme në këtë kohë për ta sensibilizuar problemin dhe për të bërë presion në partinë qeverisëse.
Ja fjala e tij e plotë para kuvendarëve për këtë çështje që e sjellë Portali 2LONLINE.
Ne Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, nuk do të marrim pjesë në asnjë seancë te thirrur nga ky kuvend, për një sërë arsyesh, duke e parë këtë si një formë të domosdoshme në këtë kohë për ta sensibilizuar problemin dhe për të bërë presion në partinë qeverisëse.
Për të ndikuar kështu në gjetjen e zgjidhjes reale, duke mos pranuar të jemi pjesë e fajit të fshehjes së problemit. Kryefjala e kritikës sonë për partinë që ka marrë mandatin e qeverisjes është se ajo ende nuk ka filluar të qeveris. Më shumë se 7 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, 5 muaj nga certifikimi i rezultateve, kryetari i komunës nuk ka arritur ta formojë qeverinë komunale.
Ndërkohë që problemet të cilat janë në përgjegjësi të institucioneve, janë grumbulluar dhe institucionet përkatëse vazhdojnë të degradojnë si pasojë e mungesës së udhëheqjes. Në shëndetësi, në arsim, në urbanizëm, në kulturë, në sport, janë vetëm disa fusha ku nuk qeveris askush. A është mungesë dije për menaxhim, mungesë guximi, apo qasje e papërgjegjshme.
Ne besojmë në të tria. Ajo që nuk e besojmë është se LDK nuk ka kuadro për ta mbuluar një qeverisje komunale me persona kompetentë për drejtoritë përkatëse. Qytetari i Gjilanit nuk ka votuar as nuk i është premtuar se do të qeveriset nga njerëz jokompetentë, me probleme me ligjin, drejtorë pa kredibilitet e madje pa drejtorë fare.
Është detyrë e partive opozitare të reagojnë ndaj një mospërfillje të tillë të qytetarit, e ndaj një abuzimi të tillë të pushtetit. Edhe pse, me këtë qasje, realisht, Lutfi Haziri ofendimin më të madh po ia bën LDK-së. Pasi për qytetarin, dhe për ne që jemi në parti të tjera, nuk është e imagjinueshme që LDK-së nuk i gjendet një drejtor i mirë për ta mbuluar një sektor. Lutfi Haziri po na bind për këtë tash e 5 muaj.
Edhe ne si këshilltarë të zgjedhur nga votat e qytetarëve, që sipas votave të marra nga sovrani jemi në opozitë, një rol mjaftë i rëndësishëm gjithsesi, sidomos sot, jemi në një situatë të vështirë kur nuk kemi kujt t’i kërkojmë përgjegjësi apo kë ta monitorojmë, apo kujt t’i bëjmë opozitë. Jemi në situatë kur partisë që ka marrë mandatin nga qytetarët për të qeverisur, po i bëjmë thirrje që të fillojë të qeveris.
Ne, 6 këshilltarët e PDK-së, kemi marrë këtë vendim që të bojkotojmë seancat e radhës, për sa kohë nuk krijohet qeverisja komunale. Me këtë formë, mendojmë të solidarizohemi me qytetarët, me nevojat dhe pritjet e tyre, të distancohemi nga kjo papërgjegjësi, ta mediatizojmë dhe kështu të bëjmë presion publik për zgjidhjen e problemit. Duke ju garantuar se prezenca jonë brenda kuvendit nuk ka efekt për sa kohë, qeverisja është në anarki, kjo mbase edhe për shkak të problemeve të brendshme në partinë në pushtet. Por kjo assesi nuk do të lejohet të ndikojë në institucionet komunale, që i fundit ta pësojë qytetari.
Përndryshe, edhe Nevzad Isufi, shef i Grupit të anëtarëve të Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes bëri të ditur se edhe kuvendarët e Vetëvendosjes do ta braktisin seancën duke i treguar vërejtjet e tyre që i kanë, duke i adresuar kritikat e ashpra në adresë të kryetarit të komunës, Lutfi Haziri, që akoma nuk e ka bërë qeverinë komunale, si dhe duke mos treguar gatishmëri për dialog, që sipas tij po trumbetohet nga vet partia në pushtet dhe kryetari i komunës dhe po veprohet ndryshe.
Isufi tha se kryetari Haziri edhe sot në Kuvend e tha vetëm të tijen dhe iku, pa mundësuar që edhe kuvendarët ta thonë të tyren dhe kështu të dialogohej dhe edhe ai t’i dëgjojë anëtarët e Kuvendit.
Ai madje tha se injoranca e pozitës nuk mund të gëlltitet lehtë dhe kritika pati edhe në formën se si janë konstituua komitetet. Përndryshe, Vetëvendosje, ditë më parë, kishte kërkuar edhe dorëheqjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, duke e vlerësuar të paaftë për të qeverisë me komunën.