Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka udhëtuar drejt Brukselit ku sot pritet të zhvillohen takime në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.
“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar drejt Brukselit. Ditën e hënë, pritet të zhvillohen takimet e radhës në nivelin e kryenegociatorëve në procesin e dialogut, e cila do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Zbatimit”, thuhet në komunikatë.
Të enjten, emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka qëndruar në Kosovë ku ka takuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Mitrovicës Jugore, Bedri Hamzën, përfaqësuesit e shoqërisë civile në veri, si dhe përfaqësuesit e Listës Serbe.
Ai në një konferencë për media ka njoftuar se të hënën do të takohet me kryenegociatorët nga Kosova, Besnik Bislimin, dhe nga Serbia, Petar Petkoviqin.