Ka përfunduar takimi i radhës në nivel të negociatorëve në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak.
Ende nuk ka ndonjë deklarim nga palët nëse është arritur ndonjë progres në raundin e ri të dialogut, ku ishin ballë për ballë Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.
Në këtë takim u diskutua për zbatimin e marrëveshjes së aritur së fundmi për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ankeksit të saj. Pritet që të vazhdohen edhe diskutimet për Asociacionin, por edhe për situatën aktuale në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit në katër komuna, të cilat i bojkotoi Lista Serbe.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, paraprakisht i ka takuar ndaras Bislimin dhe Petkoviqin, të cilët takohen për herë të parë pas takimit të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel.
Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se në atë takim u bë një përparim në çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi aty u prezantua një draft i statutit të kësaj bashkësie komunash, të cilin Kosova e konsideron të papranueshëm. BE-ja thotë se ai draft është pikënisje për diksutim lidhur me këtë çështje, gjë të cilën e kanë kundërshtuar ashpër eskponentë të partisë në pushtet.
Ky është takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.
Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.