Kritika për Kosovën dhe Serbinë, për mos zbatim të marrëveshjeve të arritura, kanë ardhur të shtunën nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Ai mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Malit të Zi.
Gjatë kësaj ngjarjeje, ai i ka dhënë një intervistë transmetuesit publik të Kosovës.
RTK: Z.Escobar, cilat janë pritjet tuaja për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë e cila nuk po zbatohet tani?
Escobar: Me duhet të them se asnjëra s’po zbaton marrëveshjen, dhe më duhet të them që ne duhet të ecim përpara me te gjitha elementet përfshirë dhe specifikisht Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ne po presim versionin e Kosovës për statutin e Asociacionit, e kjo duhet të bëhet tash.
RTK: A është ky hapi i parë që duhet bërë?
Escobar: Jo, të gjitha duhet bërë, por është përgjegjësi kryesore e Kosovës që të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Çka duam ne si SHBA është që statuti për Asociacionin do të duhej kryer e të bëhet sa më parë. Po shpresoj që kjo të kryhet së shpejti.
RTK: A e keni diskutuar këtë me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti?
Escobar: Jo me presidenten ende, me kryeministrin po në Bruksel dhe ka qenë tema kryesore e takimit tonë në atje.
RTK: Sot këtu (Podgoricë v. j) ishte edhe presidenti i Serbisë. E keni diskutuar me të, pse Serbia s’po zbaton asgjë?
Escobar: Nuk kisha mundësinë të bisedoja, por pozicioni ynë është që të gjitha pikat e marrëveshjes duhet zbatuar.
RTK: Çfarë duhet të bëjë Serbia si hap të parë?
Escobar: Mund të them se për Serbinë dhe Kosovën urgjente është që të rifokusohen në normalizim, që të punohet për rikthim të serbëve në institucione dhe të fillojnë të mendojnë si t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo është edhe esenca e krejt marrëveshjes. Ne duhet të fillojmë menjëherë me vullnet të mirë në implementimin e të gjitha elementeve të saj.
RTK: Si e shihni Asociacionin?
Escobar: Asociacioni është një mundësi për Kosovën që të sigurojë shërbime komunale për njerëzit e shtetit të tyre që flasin gjuhën serbe. Është mënyrë për t’ua hapur derën për integrim më të madh të minoritetit serb në strukturat e Kosovës. Ky gjithmonë ka qenë qëndrimi ynë. Ne duhet të kuptojmë se ata janë shtetas të dyfishtë. Ne dëshirojmë që ta bëjmë në atë mënyrë që nuk krijon problem me Kushtetutën.