Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mungesë të kuorumit, e ka ndërprerë seancën e sotme, pasi opozita e ka braktisur sallën e mbledhjeve, duke kundërshtuar për të qenë në rend dite propozim-vendimet për shfuqizimin e tre vendimeve, me arsyetimin se nuk kanë kaluar në Komitetin për Planifikim Hapësinor dhe Komitetin për Politikë dhe Financa.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Arianit Sadiku, ka kërkuar që të futen në rend dite tri propozim-vendimet për shfuqizimin e vendimeve të mëhershme që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nën-zonën e Bllokut “B3” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, kërkesa këto që morën shumicën e votave.
Ndërkaq, Kuvendi ka hequr nga rendi i ditës dy pikat për mbështetje financiare të grupit të tifozëve ‘Skifterat’ si dhe KH “Drita (M), pasi u tha se nuk ka mjete të planifikuara për këtë qëllim.
Paraprakisht, në rend dite është futur edhe propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për subvencionimin e lehonave, personave me aftësi të kufizuar, bizneseve me pronare gra, bizneseve Start Up për të rinj dhe praktikantëve, sikurse edhe propozim vendimi për zgjerimin e veprimtarisë në kuadër të NPL Tregu, në fushën e mirëmbajtjes së hapësirave publike, meqë tash nuk ka kontratë për mirëmbajtje, të cilin e ka paraqitur kryetari i Komunës, Alban Hyseni.
Ndërkohë, Sekretaria e Kuvendit ka bërë të ditur se mbledhja e pestë e Kuvendit Komunal vazhdon punimet nesër (26.05.2023), me fillim në ora 10:00, sipas rendit të punës.