Pas largimit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës nga seanca e Kuvendit të Komunal në Gjilan është ndërprerë seanca për herë të dytë sivjet në mungesë të kuorumit, shkruan Radio Star.
Në këtë seancë po diskutohej për anulimin e tri vendimeve të mëhershme që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nën zonën e Bllokut “B3” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”.
Por, me gjithë insistimin e kryetarit të Gjilanit, Alban Hysenit, që këto tri pika të shfuqizohen, partnerët e koalicionit, ata të PDK-së ia pamundësuan një gjë të tillë.
Në momentin që debatohej për këto tri vendime, Bujar Nevzadi, shefi i asambilsitëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ka kërkuar pesë minuta pushim nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku.
“Kërkoj pesë minuta pushim ne emër të grupit të PDK-së, kam nevojë për një konsultë edhe kthehemi”, tha Nevzadi.
Por, asamblistët e PDK-së nuk u rikthyen më fare në seancë, duke e pamundësuar vazhdimin e seancës për shkak të mungesës së kuorumit, meqë në sallë ishin vetëm 14 asamblistë prezentë.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Arianit Sadiku, tha se mbledhja e pestë shtyhet për një datë tjetër, për të cilën publiku do të njoftohet me kohë
“Lëkundja” e koalicionit PDK-LV”.
Pas këtyre zhvillimeve, Radio Star merr vesh se dega e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të kryesisë.
Në këtë takim është diskutuar edhe për hapat e ardhshëm të kësaj partie për vazhdimin e koalicionit me PDK-në.
Ndryshe, në vitin 2022, Lëvizja Vetëvendosje kishte arritur një koalicion për bashkëqeverisje në komunën e Gjilanit me Partinë Demokratike të Kosovës.
Kësaj të fundit i takon pozita e nënkryetarit të komunës dhe katër drejtori, ndërkaq partia fituese e zgjedhjeve do të udhëheq me drejtoritë të tjera.
LV-ja ka fituar Komunën e Gjilanit në raundin e dytë të zgjedhjeve, ku Alban Hyseni është zgjedhur kryetar i komunës.
Hyseni ka marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë, në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të 14 nëntorit.
Hyseni, pasi ishte betuar si kryetar i Gjilanit, para kuvendarëve pati bërë të ditur se do e sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit e kanë pritur.
“Sot jemi në mbledhjen e parë të kuvendit të ri të Gjilanit, kuvendit komunal të ndryshimit dhe zhvillimit që e pret komunën në katër vitet e ardhshëm rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjell frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisnin e që reflektuan me votë fillimisht me 17 tetor e pastaj dhe definitivisht me 14 nëntor”, pati thënë Hyseni.
Ai, ka premtuar se do të jetë zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen dhe zgjidhjen të gjitha problemet e qytetit dhe fshatit.
“Banorët e Gjilanit faleminderit për besimin tuaj që tashmë po e përkthejmë në bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat shtresat lagjet dhe fshatrat” /Radio Star/