Dy shtetas të Serbisë janë arrestuar mbrëmë nga Policia e Kosovës në veri të vendit, pasi vetura me targa të Sllovenisë me të cilën po lëviznin, është ndalur për kontroll, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se dy personat e dyshuar janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione etj.
“Dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat dyshohet se mund të përdoren për veprime të dhunshme janë:
një (1) shufër metalike (policore),
një (1) maskë kamuflazhi,
disa thika,
disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S),
disa lloje të dyshuara të substancave narkotike,
telefona celularë,
sprej të ndryshëm,
sfera metalike,
lidhëse plastike,
një (1) automjet,
një (1) kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe
një (1) kartelë të akademisë për siguri e Serbisë.
një (1) çekan etj”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, ndaj dy personave të dyshuar, me vendim të prokurorit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.