Vetëvendosje vazhdon të argumentojë se telashet që na dolën me Amerikën kanë të bëjnë me shtrirjen/mos-shtrirjen e sovranitetit në veri përkundër që aleati më i madh i vendit tonë ka një kërkesë fare të qartë e specifike dhe nuk kërkon të mos shtrihet sovraniteti në veri. Deputeti Dimal Basha nga kjo parti, duket të jetë zëdhënësi më i madh i këtyre argumenteve, me paraqitjen e fundit ku përdhosi rolin e Amerikës në çlirimin e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti po e shtrin sovranitetin në veri dhe kushdo që nuk e mbështet është ose frikacak, ose i lidhur me krimin në atë pjesë, ose i paguar nga Vuçiqi ose gjithçka e keqe që mund të mendohet. Kështu thotë pak-a-shumë pjesa e botës së Internetit që mbështet Vetëvendosjen.
E, Dimal Basha ishte prej deputetëve më të zëshëm këto ditë. Ligjërimi i tij është i thjeshtë, tepër i thjeshtë, dhe prandaj edhe shumë problematik për sferën publike.
Pa përmendur ndonjë dëshmi, ai në paraqitjen e fundit televizive pati një fjali që kushtimisht po e quajmë “monumentale”:
“Po m’ke pshtu? Po m’ke pshtu, t’du, shka po don prej meje?” Mirëpo, z. Basha asnjëherë nuk i referohej asaj çka “Amerika donte prej nesh” specifikisht, duke lënë të nënkuptohej kësisoj se ShBA-ja e BE-ja kërkonin mos-shtrirjen e sovranitetit në veri. ShBA-ja e fajësoi Kosovën për nxitje të tensioneve duke insistuar që kryetarët të punonin nga ndërtesat komunale e jo nga zyre alternative siç edhe ishin betuar.
Në këtë pjesë, specifikisht Basha fjalën e kishte edhe për eurodeputeten Viola von Cramon, e cila u dëgjua në veri duke iu drejtuar një polici me “çka në dreq iu solli këtu?”
“Qiky osht mentalitet i keq i evropianëve që vijnë na shohin si klasë e tretë se kanë operu qishtu. Ajo munet me ardhë… ajo osht mike e Kosovës. Dorën n’zemër ajo na nimon shumë sene….” – vazhdoi tutje z. Basha.
Basha dhe arsimi
Në një moment, nuk dihet pse, ai u shpreh në veten e parë shumës duke përdorur argumentin e arsimit. Tash, ishim më të arsimuar se dikur. Ideja e tij ishte që Evropa e Amerika duhej të na respektonin sepse ishin arsimuar në vende të huaja, dinim të lexonim e të flisnim.
“Na jena arsimu tash n’vene t’huja. Jena mësu me lexu. Jena mësu me folë. Jena pak t’artikulumë. I kena kry do shkolla. S’un vjen me m’folë si me kon qytetar i klasës t’tretë.” – tha Basha.
Amerika e kishte detyrë të na shpëtonte
Dimal Basha – që është shef i Grupit të Miqësisë me Amerikën në Kuvendin e Kosovës – vazhdoi të fliste me qasje përçmuese për Shtetet e Bashkuara edhe sa i përket intervenimit të tyre më 1999 që solli lirinë e Kosovës.
Sipas tij, Amerika do të bënte gabim të madh sikur të mos ndërhynte, shkruan Nacionale.
“Duhet me kuptu edhe ni sen. Sha kanë bo Shtetet e Bashkume t’Amerikës osht njerëzore. Ka qenë komplet gabim sikur Amerika t’mos kish ndërhy n’Kosovë ku ni shtet midis Evropës u kon tu kry gjenocid ndaj ni popullit civil…”
E ndërkohë, dëgjojeni mirë se si e portretizon Amerikën menjëherë më pas:
“…e tash ti ton jetën me shku mi thon atina ngom mue se unë t’kom pshtu, unë t’kom pshtu, ngom mue, unë t’kom pshtu…”
Duhet kujtuar se asnjë ambasador amerikan apo zyrtar i lartë tjetër i ShBA-ve nuk kishte thënë ndonjëherë “unë të kam shpëtuar, unë të kam shpëtuar, dëgjomë mua, unë të kam shpëtuar…”
Në fakt, as kërkesat e fundit nuk i referohen Kosovës me qasje paternaliste si të një vendi të shpëtuar por si të një vendi mik të ShBA-ve.