Prokuroria e Gjilanit ka nisur hetimet pas raportimit të Radio Star-it se Ilire Thaçi është favorizuar për pozitën Zyrtar Certifikues për Pagesa në KRU “Hidromorava”, pasi bashkëshorti i saj Arton Thaçi ka punuar një kohë të gjatë dhe është shok me Kryeshefin aktual të Hidromorava, Ymer Salihu.
“I nderuar, Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, këtë rast e ka ndarë në punë tek një prokuror, I cili do të vendosë lidhur me veprimet e tjera të mëtutjeshme, për të cilat do të jeni të njoftuar me kohë. Ju faleminderit për bashkëpunimin”, ka thënë nga prokuroria në një përgjigje me shkrim për Radio Star.
Ndryshe nga pesë kandidatët e tjerë, Thaçi ishte poentuar me 69 pikë në testin me shkrim për pozitën e lartcekur.
Por, kandidatët e tjerë kanë shprehur pakënaqësi me këtë renditje të konkurrentëve për këtë pozitë.
Sipas tyre, Ilire Thaçi është favorizuar pasi bashkëshorti i saj Arton Thaçi ka punuar një kohë të gjatë dhe është shok me Kryeshefin aktual të Hidromorava, Ymer Salihu.
Në fotografitë në rrjetet sociale, Salihu shihet i shoqëruar nga Arton Thaçi, bashkëshorti i Ilire Thaçit.
Dyshimet e kandidatëve janë edhe në anëtarët e Bordit të Drejtorëve të cilët sipas tyre janë pjesëmarrës në kurdisjen e konkurseve në Hidromorava.
AAK: Konkursi në ‘Hidromoravë’ duhet të kthehet në pikën zero!
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dega në Gjilan përmes një reagimi për media e kanë cilësuar si të “papranueshme që rezultatet e konkursit në ‘Hidromoravë’ të publikohen të enjten”, ndërsa afati për ankesa të publikohet të premten e të pakënaqurit të kenë kohë vetëm tri ditë për tu ankuar.
“Normalisht afati duhet të jetë për ditë pune, jo për ditë vikendi, atëherë kur institucionet nuk punojnë e ankesat s’ka kush i pranon.Kjo ndodh për shkak se favorizohen anëtarë të familjes së shokëve të kryeshefave, e këta të fundit dihet me çfarë direktiva punojnë.
“Dyshimet e kandidatëve janë edhe në anëtarët e Bordit të Drejtorëve të cilët sipas tyre janë pjesëmarrës në kurdisjen e konkurseve në Hidramorava, andaj konkursi duhet të kthehet në pikën zero”.
Sipas, AAK-së, çfarëdo hapi tjetër përveç rikthimit në pikën zero të këtij konkursi, të pakënaqurit duhet t’i drejtohen organeve kompetente për të kërkuar drejtësi.
“E kanë mbështetjen tonë. Nuk do të lejojmë parregullsi e favorizime. Nuk do të heshtim ndaj asnjë shkelje të të drejtave të qytetarëve e ndaj shkeljes së ligjit”.