Në Gjilan, është përuruar sot murali madhështor ‘Forca e Gruas’, një projekt ky që promovon gjithë përfshirjen, përkatësisht është thirrje për një çështje që qëndron në thelb të shoqërisë, ndërgjegjësimin për familje të barabarta.
Projekti është mbështetur nga Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili njëherësh ka marrë pjesë në këtë përurim.
Drejtori Kushtrim Zeqiri, në emër të kryetarit të Komunës, ka falënderuar Mural Fest Kosova që ka realizuar në Gjilan një vepër si kjo, që promovon, në rend të parë, respekt dhe barazi.
‘Ne jemi të hapur gjithmonë si Komunë për të përkrahur projekte që përcjellin mesazhe të tilla për qytetarët tanë”, ka thënë Zeqiri.
Murali ‘ Forca e Gruas’ shërben si një kujtesë e fuqishme e forcës, qëndrueshmërisë dhe dashurisë që nënat sjellin në familjet dhe komunitetin e tyre.
Visare Mujko Nimani, shefe e zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë në Kosovë (UNFPA) tha se ky është murali i parë, që është përkrahur nga zyra e tyre, në kuadër të disa të tillëve që do të bëhen nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Murali përmban një mesazh të qartë në promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin grave dhe politikave më miqësore për familjen.