Aleanca për Ardhmërin e Kosovës dega në Gjilan, sot ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në qytetin e Gjilanit shkruan Radio Star.
AAK përmes një komunikate për media, ka treguar se do të jetë opozitë konstruktive si brenda Kuvendit Komunal.
Komunikata e plotë:
Të dashur qytetarë të Gjilanit,
Të nderuara struktura të AAK-së në Gjilan,
Në mbledhjen e sotme të kryesisë së AAK-së në Gjilan, përveç tjerash, u diskutua për zhvillimet politike në Komunën e Gjilanit, pas prishjes së koalicionit qeverisës, zhvillime këto për të cilat u diskutua me kujdes të veçantë në analizë, trajtim e në veprime tona të tanishme.
Prishja e koalicionit qeverisës e ka thelluar edhe më tej hendekun institucional në Gjilan. Që ka ndodh degradim në secilin segment të jetës shoqërore, kjo nuk do diskutim, por çka tani e tutje?
AAK nuk do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës në asnjë kombinim, sikurse as edhe e kalkulimeve tjera që në syrin tonë politik janë vetëm për interesa krejtësisht të ngushta politike, assesi për Gjilanin e për qytetarët.
AAK do të jetë opozitë konstruktive si brenda Kuvendit Komunal, ashtu edhe jashtë tij, pra si subjekt politik opozitar më i zëshmi deri më tani, po ashtu më i arsyeshmi.
AAK do të veprojë si çdoherë, gjithnjë në interes të qytetarëve të Gjilanit dhe në interes të së përgjithshmes. Jemi shumë të vendosur në skanimin e veprimeve e vendimeve të institucioneve komunale, ndërsa varësisht rëndësisë së tyre, të reagojmë me kujdes e duke qenë shumë real dhe të saktë.
Pra, Aleanca është subjekt politik serioz, nuk lejon ndërhyrje e as nuk ndërhyn për asnjë moment në çështje të brendshme të partive politike. Ne po rritemi në Gjilan dhe krahas punës sonë me dinamikë të madhe për rritjen e partisë, jemi të vëmendshëm edhe në raport me punët e institucioneve të Komunës së Gjilanit.
Aleanca mbetet e hapur pambarimisht për secilin qytetarë që mendon ta bëjë Gjilanin një vend të zhvilluar dhe të jetueshëm!