– Në mbledhjen e parë të Bordit të Drejtorëve të zgjedhur, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë do të aplikoj qeverisje agresive në realizimin e objektivave të mëdha.
“Gjilani ka nevojë për një administratë funksionale dhe agresive në zbatimin e detyrave që i kemi dhe me orar të punës të tejzgjatur. Parimi i punës është ekipor dhe këtu nuk ka parti politike, por duhet t’ju shëbejmë qytetarëve pa dallim. Ju uroj suksese të gjithëve në realizimin e punëve të përbashkëta”, ka thënë Haziri.
“Së bashku do të punojmë në implementim të programit “Gjilani 2018 Plus”, për zhvillim të infrastrukturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, zhvillimit lokal ekonomik, pakon për familjen bujqësore, zhvillimin e politikave të rinisë dhe për një sport të afirmuar edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë kryetari i Gjilanit
Haziri tha se këta tre muaj janë jashtëzakonisht të vështirë, por tha se me angazhim të stafit të shërbimit civil, shpreson që do t’ia dalin.
“Toleranca do të jetë zero për ata që nuk i zabtojnë detyrat dhe përmbushin objektivat. Veç ata drejtorë që i realizojnë pritjet, do të qëndrojnë e të tjerët do t’i revokoj”, tha kreu i gjilanasve.
Ai ka paralajmëruar se brenda 90 ditëve do ta riorganizojë shërbimin civil për ta përmirësuar performancën në shërbim sa më të mirë për qytetarët e Gjilanit.
Në këtë takim të parë drejtorët e zgjedhur kanë prezantuar objektivat për tre-mujorin e dytë të punës së këtij viti, ndërsa brenda pak ditësh Komuna do të publikoj planet e punës për secilën drejtori veç e veç.
Në fund, i pari i gjilanasve ka riktheksuar se Komuna do të aplikoj disiplinë të ashpër buxhetore në shpezime, në mënyrë që nga kursimet, të realizoj projekte të rëndësishme komunitare.