Pak pasi filloi, Kuvendi i Kosovës u detyrua të ndërpresë seancën e Kuvendit, ku në rend dite ishin edhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Kjo për shkak të mungesës së kuorumit.
Për këtë situatë reagoi kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili ka kritikuar Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike për mozprezencën e deputetëve të kësaj partie në seancë.
Ai ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë ishin marrë vesh që të enjten deputetët të ishin në sallën e seancave.
“PDK-ja në fillim i pati të gjithë deputetët por siç po shoh për shkak të disa mospajtimeve dolën. Këto mospajtime është dashur të m’i tregojnë të hënën e unë nuk kisha caktu me i sjell deputetët këtu hiç”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se kjo është shumë e pandershme nga ana e PDK-së.
Sipas tij, po t’i tregonte në mbledhjen e Kryesisë nuk do t’i ftonte deputetët sot në seancë.
Ka shtuar që të gjitha grupet parlamentare ishin të pajtimit që të enjten t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
Në rend dite sot ishin votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, për kalimin e të cilave nevojiten së paku 80 vota.
Kjo tashmë është e disata herë që Kuvendi i Kosovës ndërprenë punimet e seancave në mungesë kuorumi.