Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës Supreme, e cila kishte refuzuar kërkesën e B.E., për kompensim të tokës së shpronësuar nga Komuna e Gjilanit në vitin 1995.
Kushtetuesja konstatoi se propozuesit B.E iu mohua e drejta për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe mbrojtja e pronës.
Në vendimin e marrë më 22 maj 2023, Kushtetuesja ka konstatuar se Supremja nuk kishte juridiksion për të vendosur lidhur me revizionin e parashtruar nga Komuna e Gjilanit dhe si rezultat vendimin e shkallës së tretë e ka shpallur të pavlefshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Kushtetueses, vendimi i Supremes nuk është në përputhje me nenin 31, E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6, E drejta për një proces të rregullt të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe me paragrafin 3 të nenit 46, Mbrojtja e Pronës të Kushtetutës në lidhje me nenin 1, Mbrojtja e pronës, të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Historiku i rastit:
Komuna e Gjilanit më 29 qershor 1995, kishte vendosur për eksproprijimin- shpronësimin me të drejtën për kompensim të paluajtshmërisë për ndërtimin e një rruge qarkore në Komunën e Gjilanit, një pjesë e së cilës paluajtshmëri, kishte qenë në posedim të paraardhësit ligjor të B.E.
Edhe pas dy proceseve të zhvilluara në Gjykatën Themelore në Gjilan, B.E., thuhet se nuk kishte mundur të realizonte të drejtën e tij, të kompensohej për shpronësimin e paluajtshmërisë së tij.
Nga procesi i parë, i zhvilluar në Gjykatën Themelore në Gjilan, pas vërtetimit të drejtës së pronësisë ndaj B.E lidhur me paluajtshmërinë në fjalë, kompensimi për të ishte caktuar me vendimin e gjykatës së shkallës së parë më 11 mars 2014, në shumën prej 29 mijë e 520 euro.
Këtë vendim, e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit. Mirëpo, e pakënaqur me të njëjtin, Komuna e Gjilanit kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme.
Si pasojë e kësaj, Supremja më 20 prill 2015 ia kishte kthyer çështjen në rivendosje Gjykatës Themelore, me rekomandimin për vlerësimin e shumës nga një ekspertizë përkatëse.
Në rivendosje, Themelorja me aktvendimin e 24 shkurtit 2017, duke vepruar sipas rekomandimit të Supremes, kishte caktuar vlerën e kompensimit për B.E., në shumën prej 39 mijë e 360 euro. Të njëjtin vendim, e kishte vërtetuar Gjykata e Apelit më 24 maj 2021, e cila kishte vlerësuar se aktvendimi i Gjykatës Themelore është i drejtë dhe i bazuar në ligj dhe se kjo e fundit po ashtu ka ofruar arsyetim konkret edhe për faktet vendimtare.
Përsëri, Komuna e Gjilanit e pakënaqur me vendimet e fundit, përkatësisht të Gjykatës Themelore dhe të Gjykatës së Apelit, kishte parashtruar revizion në Gjykatën Supreme.
Kësaj radhe, Supremja me vendimin e 22 shtatorit 2021, kishte aprovuar revizionin e parashtruar nga Komuna e Gjilanit, ku kishte ndryshuar vendimet e dy gjykatave më të ulëta, duke refuzuar propozimin e B.E për kompensim, me arsyetimin se kërkesa e parashtruesit të kërkesës ishte parashkruar. Këtë konstatim, Gjykata Supreme e kishte mbështetur duke aplikuar edhe dispozitat e Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve.
Pas kësaj, B.E i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilës kishte kërkuar që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme, të 22 shtatorit 2021.
Vlerësimet e Gjykatës Kushtetuese:
Kushtetuesja ka vlerësuar se Gjykata Supreme nuk kishte juridiksion të vendoste lidhur me revizionin e parashtruar nga Komuna e Gjilanit, pasi që bazuar në Ligjin mbi Eksproprijim revizioni nuk ishte i lejuar kundër vendimit mbi caktimin e kompensimit.
“Në aplikimin e parimeve që ndërlidhen me të drejtën për një “gjykatë të themeluar me ligj”, duke përfshirë praktikën e vet Gjykatës në raste të ngjashme, ndër tjerash, u sqarua që bazuar në nenin 2b të Ligjit mbi Eksproprijimin (Gazeta Zyrtare e KSAK 46/86), kundër vendimeve të formës së prerë mbi caktimin e kompensimit, revizioni nuk është i lejuar dhe rrjedhimisht, Gjykata Supreme nuk kishte juridiksion për të vendosur në lidhje me revizionin e palës së paditur”, thuhet në vendim.
Kjo pasi, B.E, në kërkesën e drejtuar para Gjykatës Kushtetuese kishte paraqitur pretendimet e tij se i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Ligjit mbi Eksproprijimin
Sipas Kushtetueses, procedura e kompensimit për shpronësimin e paluajtshmërisë nuk ishte zhvilluar me urgjencën e kërkuar sipas paragrafit 3 të nenit 46 të Kushtetutës dhe nenin 2b të Ligjit për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit mbi Eksproprijimin.
Andaj, si rezultat i vonesës në dhënien e kompensimit të menjëhershëm dhe adekuat për shpronësimin e paluajtshmërisë së tij, ishte prishur ekuilibri i drejtë midis mbrojtjes së pronës dhe kërkesave të interesit të përgjithshëm.
Për këtë, Kushtetuesja ka vlerësuar se B.E i ishte cenuar e drejta në pronë e garantuar me paragrafin 3 të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës B.E, Gjykata kishte aplikuar parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe garancitë e përcaktuara në dispozitat kushtetuese dhe ligjore që ndërlidhen me të drejtën për kompensim në rast të shpronësimit të pronës.
Si përfundim, Kushtetuesja ka shpallur të pavlefshëm aktvendimin e Gjykatës Supremes dhe ka konstatuar se aktvendimi i Gjykatës së Apelit i 24 majit 2021, është përfundimtar dhe i detyrueshëm. /BetimipërDrejtësi