Protestat kundër presidentit autoritar të Serbisë, Alexandar Vuçiq, kanë vazhduar të shtunën. Protestuesit kësaj radhe kanë protestuar edhe para objektit të televizionit Pink TV që njihet për lidhjet e afërta me Vuçiqin. Ky televizion është akuzuar për promovim të dhunës kur nëpër emisione ftoi kriminelë lufte dhe të dënuar për krime në Serbi
Televizioni Pink TV, me lidhje të ngushta me presidentin serb Alexandar Vuçiq, ka qenë cak i mijëra protestuesve të shtunën në Beograd.
Protestuesit kanë akuzuar televizionin proqeveritar si promovues të dhunës dhe se vazhdimisht ka ftuar nëpër emisione të dënuar për krime në Serbi. Protestuesit tash e disa javë kanë kërkuar heqjen e lejes së punës për këtë televizion.
Masat kufizuese ndaj Pink TV dhe transmetuesve të tjerë komercialë, si dhe portaleve, janë disa nga kërkesat në protestat që kanë nisur që nga muaji maj kur u vranë 18 persona dhe u plagosën 20 të tjerë në dy sulme të ndara.
Protestuesit antiqeveritarë kanë kërkuar gjithashtu largimin e zyrtarëve kryesorë të sigurisë dhe udhëheqësit e organit monitorues të medias gjatë disa javëve të fundit të demonstratave në rrugë, më të mëdhatë në vite kundër liderit populist të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe qeverisë së tij.
DEK. RADOMIR LAZOVIQ – OPOZITAR
“Kjo është vetëm një mënyrë për t’i bërë presion Qeverisë që të përmbushë kërkesat që janë më shumë se të arsyetuara. Nëse do të ishim me fat të jetonim në një shtet që është më në rregull dhe normal, atëherë nuk do të kishim nevojë për protesta”, ka thënë Radomir Lazoviq – opozitar.
Vuçiqi, ish-ultranacionalist, i cili tani thotë se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por është përballur me akuzat për regjim autoritar, i ka hedhur poshtë kërkesat e protestës. Ai ka akuzuar liderët e opozitës që qëndrojnë pas tubimeve se kanë abuzuar me tragjeditë e të shtënave për ta sulmuar atë.
“Natyrisht se Vuçiqi nuk do të thotë ‘do të jap dorëheqje dhe do të shkoj në burg’, por ideja është që t’i themi Qeverisë se nuk do të jemi të heshtur dhe duam një shtet me kualitet më të mirë të jetës”, ka thënë një protestues.
Vrasjet në masë në muajin maj kanë tronditur Serbinë. Sulmi i parë ndodhi në një shkollë fillore të Beogradit kur adoleshenti mori armën e babait dhe vrau shokët e klasës. Një ditë më vonë, më 4 maj, 20-vjeçari vrau disa persona në jug të Beogradit.
Vuçiq dhe autoritetet e tij populiste kanë hedhur poshtë çdo përgjegjësi për sulmet. Kundërshtarët e presidentit, megjithatë, thonë se gjuha e urrejtjes dhe jotoleranca e nxitur nga mediat dhe zyrtarët proqeveritarë kanë ndihmuar në nxitjen e dhunës në Serbi.
Protesta e së shtunës ka nisur jashtë ndërtesës së Parlamentit serb përpara se mijëra njerëz të marshonin drejt ndërtesës së TV Pink. Protestuesit vazhdimisht kanë bërë thirrje kundër Vuçiqit.