Në Forumin e sotëm të Dubrovnikut nga Kosova është duke marrë pjesë kryediplomatja Donika Gërvalla.
Ajo mori pjesë në një panel të drejtuar nga Sekretari i Shtetit të Kroacisë, Zdenko Luçiq.
Gërvalla në forumin ku po merr pjesë edhe emisari evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka hedhur kritika drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se ky union nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë.
Gërvalla tha se BE-ja është një ‘Paper Tiger’ në aspektin e sigurisë.
“Jemi rreshtuar për rreth 90 për qind me Perëndimin kur bëhet fjalë për Ukrainën. Të tjerët që i kemi përreth po e ndihmojnë Rusinë në agresionin e saj për pothuajse dy vjet tashmë pa sanksione nga Bashkimi Evropian. Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’ në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”, ka thënë ajo.
Gërvalla foli edhe për dialogun me Serbinë, teksa tha se në Kosovë në dy vitet e fundit ka skepticizëm dhe mosbesim në kapacitetin e diplomacisë së BE-së, teksa propozoi strategji të re dhe njerëz të ri në dialog.
“Kjo është që ne po e themi, na duhet strategji e re dhe njerëz të rinj, që duhet të gjejnë një rrugë më të mirë. Ndryshe prej të tjerëve, ne nuk e përdorim BE-në si një “cash-cow (investim, biznes)”, ne jemi më shumë për vlera evropiane, se sa për vlera të parave”, u shpreh Gërvalla.
Shpërndaje