Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj kryeshefit të ‘Ibër Lepencit’, Faruk Mujka, i cili u arrestua dje nën dyshimet për korrupsion, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se Mujka bashkë me Hysen Muzliukajn do të mbrohen në liri.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve F.M dhe H.M për shkak të veprës penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, sanksionuar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve F.M dhe H.M e ka refuzuar dhe të njëjtit lihen në mbrojtje në liri”, thuhet në njoftim.
Mujka dhe Muzliukaj dyshohen se gjatë kohës që ishin pjesë e udhëheqësisë në Komunën e Mitrovicës, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’.
Mujka i Lëvizjes Vetëvendosje vitin që lamë pas u shpërblye nga partia me pozitën e kryeshefit në ‘Ibër Lepenc’. Ai ka qenë edhe kryetar i Degës së VV-së në Mitrovicë dhe nënkryetar i Komunës në kohën e udhëheqjes së Agim Bahtirit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.