Gjilanasi i talentuar që luante për Jugosllavinë – mjeku që për fëmijët e sëmurë mbante shtëpinë hapur 24 orë!
Lagja emblematike – Beglermëhalla!
Emrat që u bënë emblemë e qytetit të Gjilanit dhe përtej …!
Pjesa III, vazhdimi 1
Gjilani dikur dhe sot – nëpër ngjyrat e kohës!
Kujtimet për jetën intelektuale…
Në pjesën e tretë të rrëfimit të dr.Shevqetit për lagjen Beglermëhalla, shpërfaqen kujtime interesante, pothuaj si më shirit filmi, duke rikthyer në kohën tonë gjithë ata emra sportistësh, drejtorësh institucionesh, mjekësh, mësimdhënësish, aktorësh, ngjarjesh, zhvillimesh…
Do të lexoni: si e madhërtuan qytetin e Gjilanit edhe përtej kufijve të tij? Kush ishin sportistët e njohur? Cilat ishin klubet në zë? Cili gjilanas luajti futboll për reprezantacionin e të rinjve të Jugosllavisë? Kush ishte mjeku serb i Gjilanit që mbante hapur dyert e shtëpisë së tij për fëmijët e sëmurë? Kush ishin dy gjilanasit mjekë në kampionin botëror të hendbollit për femra që u mbajt në Gjilan? A praktikohej sporti i boksit në lagjën e njohu…Cilat ishin shoqatat kulturore? Cilët ishin aktorët e Teatrit të Gjilanit? Etj, etj…
III. 1.
Më kujtohen shumë gjëra për jetën tënde. As tri pjesë nuk janë të mjaftueshme për ta përshkruar shpirtin tënd, për të kujtuar banorët që jetonin në gjirin tënd. Pos shtëpive me qeremidhe, me trapazana, me mullirin me rrymë, që bluante krunde per poqarin, i cili punonte tava dhe kënata (shtamba) për tregun – ku malishevalitë me kotllajka shitnin kos, per policin Zeqë qe voziste motorin, BMë.
Kujtimet e mia flasin edhe për botën intelektuale që kjo mëhallë ia dha qytetit, duke ia pasuruar shpirtin.
Ah Gilan, ah Beglermëhallë, ti qytetit i ke dhënë shumë drejtorë në lëmi të ndryshme: Mulla Tefik Jakupin, që ishte drejtor shkolle me 1953, Rexhep Jakupin, i cili ishte drejtor në Shkollen Ekonomike, Muzafer Gjinollin në Radio Gilan, Fahredin Bexhetin në Kombinatin e Tekstilit “Integj”, Ibrahim Morinen në “Higjienë”. Ndërsa, Sebahadini i xha Abdurrahmanit nga Dobërçani, me 1985, ishte drejtor i Shëndetësisë së Kosovës në Prishtinë.
Ah Beglermëhallë, ti e ke dhënë Fahredin Bexhetin kryetar qyteti, djali tjetër i Servet të xha Hysenit ishte drejtor ne Kombinatin e Duhanit “Boris Kidriç”. Sabit Jakupi ishte kryetar i Lidhjes Socialiste në nivel komune. Njerëzit të rritur në këtë lagje i sollën energji, vrull e pozitivitet jetës në Gilanin tim. Aty, te tregu, ne femijët luanim futboll, pos të shtuneve kur ishte ditë tregu. Aty shikonim se si mulla Ahmeti nxirrte dhëmbë te fëmijët e te të rriturit, që kishin probleme; se si bekritë (njerëz elegantë, pedantë, të pastësr e të veshur bukur – zotnitë) shkonin te kafeneja e Vllada Bikut. Te çezmja afër kadastrit flladiteshim dhe shikonin gilanlitë si luanin biliardo në klubin “Zvezda”. Jashari i Mulla Ahmetit në vitet e 50 ishte drejtor shkolle.
Beglermëhallë, ti Gjilanit i dhe njerëz të kultures që formuan Shoqatën “Drita” dhe “Yeni hayat”, me 1948, ku Qamil Beg Gjinolli, Hasan Bunjaku e Jashar Jashari ishin aktorë në dramat “Gjaku vlon”, “Një burre per dy gra” dhe në dramën turke “AY buluyor”. Ti lagje e bekuar, ke dhënë Traja Neshiqin, i cili përveq gjuhën serbe fliste per mrekulli gjuhën shqipe dhe turke, që me Faik Hetemin pergatiti shumë skena dramatike për Teatrin e Gjilanit. Me të kisha shumë biseda, sikur me Faikun rreth përjetimeve me rastin e festivaleve në Kullë dhe Trebinje.
Ah Gilan, ah zaman, ah Beglermëhallë! Ah Gjilan, ah kohë, ah lagje e të dalluarve! Me rininë tënde kontribuove shumë në sport. Mita “popi” ishte futbollist i KF “Crvena Zvezda”, Raif dhe Ymer Berisha luanin per KF “Drita” dhe KF “C.Zvezda”, Reqki Ahmeti luante për KF “C. Zvezda” në vitet e 50-ta së bashku me Hysein Saliqaven. Sadulla Çerkezi luante për “Çiflik” mëhallën dhe “Dritën”, ne vitet e 50-ta.
Ti Beglermëhallë ke dhënë Fahretin Gjinollin që mbronte në portën e KH “Bozhuri” dhe KH “Borci” i Ferizajt, ndërsa Enver Gjinolli dha kontribut shumë të madh në masovizimin dhe kultivimin e futbollit, hentbollit dhe volejbollit, si trajner i dalluar. Në kohën e Enver Gjinollit, sporti çdo ditë ecte përara. Ne fëmijët nuk lëshonim asnjë lojë pa e përcjellur, në radhë të parë në futboll dhe hentboll. Ndërsa sporti i boksit për banorët e kësaj mëhalle ishte sport i huaj, pasi konsiderohej johuman.
Nga kjo lagje kishte talentë të sportit. Kështu, Tajar Berisha luante futboll për reprezentacionin e të rinjëve të Jugosllavisë.
Ah Beglermëhallë! Si mund të harrohen dr. Aleksandër Gjokiqi, që gilanasit flisnin fjalë mirënjohëse për angazhimin e tij dhe sjelljet e mira ndaj gilanasëve. Te ky doktor dera e shtëpisë së tij për të sëmurët ishte e hapur 24 orë. Nuk kishte fëmijë, por e kishte shpirtin e madh.
Ne këtë lagje u lind kolosi i mjekësisë, Nusret Zijabeg, që u shpërngul në Prishtinë dhe ka djalin dr. Denisin. Ndërsa, dr. Sllobodan Rajçiq, pediatër, ishte shef i dispanzerit për fëmijë. Me te kam punuar si mjek vite të tëra. Me te ishim mjekët kryesor të kampionatit botëror për femra të reja, të mbajtur në Gjilan.
Beglermëhallë, ti ke dhënë neurokirurgin Talat Gjinollin, që është fëmija i mësuesve Didare dhe Muamer Gjinollit. Te gjeneratat e reja duhet të permendet Salije Rexhepi, vajza e mesuesit Sadullah Çerkezit, si dhe nxënësen time, stomatologen – Teuta Morina.
Ah…! Nuk po kam kohë në dispozicion të zhytem thellë e të këkroj hormonet e disponimit dhe inspirimit për këtë mëhallë!
Fundi i vazhdimit të parë të pjesës së tretë. Nesër vazhdimi 2 i pjsës III.
Nesër do të lexoni:
Për mesueset e mësuesit, për veteranët e arsimit, për mësuesit dhe profesorët që ekzekutonin bukur me kitarë e violinë, për banorët e kësaj lagje që me shpirtin e tyre punues i dhane qytetit më shumë se qyteti që sot po iu ofron banorëve të kësaj mëhalle! E sot: më shumë kafiteri, zhurmë, pluhur, beton, barnatore…Etj, etj…Lexoni nesër!
/Autor: Dr. Shevqet Mehmeti/ E përgatiti për shtyp (redaktoi): N.Buzuku/