Sanksionet – apo siç janë përdorur nën termin më të butë “masa ndëshkuese” sa për të dhënë një përshtypje të një niveli ndëshkues më pak fatal – ndaj Kosovës vazhdojnë të jenë në fuqi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe më vete edhe Gjermania, kanë ndëshkuar kursin e veprimit të Kosovës në instalimin me forcë të kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në veri të vendit si dhe kursin e mosveprimit për shtensionim të situatës atje.
Një dakordësim që u paraqit si signifikant i arritur në Bratislavë mes krynegociatorit, Besnik Bislimi dhe ndërmjetësit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, megjithatë nuk i zhbëri ndëshkimet ndërkombëtare. “Të pamjaftueshme”, i quajti bashkësia ndërkombëtare zotimet e palës kosovare për atë që u tha të jetë një zvogëlim prej 25% të pranisë së njësive speciale policore brenda dhe rreth ndërtesave komunale.
Kërkesa parësore është shpallja e samëparshme e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe dhe largimi i njësive speciale brenda dhe në rretjinë të ndërtesave komunale.
Ishte zëvendëskryeministri i parë kosovar, Besnik Bislimi, i cili ditëve të fundit zgjeroi edhe më tej konfuzionin ndërkombëtar dhe vendor kur tha se Kosova nuk do të shpallë zgjedhje të reja në veri pa u hequr sanksionet evropiane ndaj vendit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një frazim ca më ndryshe, por që përkthyeshëm thotë pothuajse të njëjtën gjë, tha se është “renditje e logjikshme” e gjërave që “njëherë shtensionimi, mëpastaj zgjedhje të reja”.
Bashkimi Evropian u kushtoi vëmendje deklaratave të Bislimit, teksa u shprehen në mënyrë të paekuivokë se BE pret atë që ka pritur kaherë: shpalljen e samëparshme të zgjedhjeve të reja.
Zëdhënësja e BE-së, Zoi Mulleter tha se “ne e ritheksojmë që BE pret nga Palët që të përmbushin kërkesat siç i kemi nënvizuar me në deklaratën e 3 qershorit të 27 shteteve të BE-së”.
“Kjo qartazi do të thotë që zgjedhjet e reja duhet të shpalln sa më parë të jetë e mundur dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithpërfshirëse në komunat veriore të Kosovës. Serbët e Kosovës presim të marrin pjesë në zgjedhje”, tha zëdhënësja e BE-së.
Ambasadori francez në Prishtinë, Olivier Guerot, gjithashtu tha se sanksionet mbesin në fuqi për sa kohë veprimet e qeverisë kosovare janë të pamjaftueshme për shtensionim të situatës në veri.
“Tërheqja e një pjese të policisë nga ndërtesat komunale është një hap pozitiv, por jo i mjaftueshëm. Masat e marra nga BE janë të kthyeshme. Ato nuk u morën lehtë, por qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për heqjen e tyre. Shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti. Ka projekte konkrete që janë të bllokuara, siç është ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujrave të ndotura për Prishtinën dhe tre komunat përreth”, ka thënë Guerot.
“Franca mbështet masat e marra nga Bashkimi Evropian në emër të 27 shteteve anëtare. Masat nuk janë vetëm ato të institucioneve evropiane. 27 krerët e shteteve dhe qeverive folën edhe për situatën gjatë Këshillit Evropian në fund të qershorit. E gjithë Evropa pret përmirësim të situatës dhe veprime konkrete nga qeveria e Kosovës në këtë drejtim. Përndryshe ketë e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, tha ambasadori francez.