PDK i tregoi VV-së dhe kryetarit të komunës së Gjilanit, se vendime selektive nuk mund të kalojnë në Kuvendin Komunal.
Ligjshmëria në institucionet e komunës së Gjilanit duhet të funksionojë për të gjithë barabartë, jo për disa të mbyllen sytë e veshët, e për disa të bëhet luftë për inate personale e politike.
PDK ka qenë subjekti i vetëm politik opozitar në komunë, që ka kundërshtuar deri në fund vendimet e atëhershme të marra nga qeverisja e kaluar në Kuvendin Komunal të Gjilanit. Pas miratimit të tyre në KK, këto vendime i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale të Kosovës, pra para disa vitesh.
PDK- Dega në Gjilan vlerëson gjestin e mirë të kryetarit të komunës, i cili sot publikisht e pranoi dhe këtë deklaroi në seancën e Kuvendit Komunal.
Rikujtojmë që LVV nuk e ka bërë një hap të tillë kur ka qenë në opozitë, por ka hesht, vetëm me një deklarim opozitar në KK, e sot kur po qeverisë me komunën po tenton që pjesërisht, kinse po e ri-kthen ligjshmërinë e këtyre vendimeve.
Por JO, ne PDK si opozitë edhe atëherë kur ka qeverisë LDK edhe sot kur VV udhëheqë me pushtetin, nuk jemi pajtuar, nuk do të pajtohemi asnjëherë, dhe do të kundërshtojmë çdo vendim të institucioneve të komunës me qasje selektive, e për interesa të mëdha të ndokujt apo në dëm të qytetarëve e bizneseve që investojnë në projekte dhe që kontribuojnë në zhvillimin e Komunës.
PDK kërkon zbardhjen e plotë të të gjitha vendimeve që janë konsideruar si të paligjshme nga ana e Prokurorisë Speciale, duke besuar në drejtësi dhe profesionalizëm. Për ne është e rëndësishme dhe vendimtare një ekpertizë profesionale ligjore dhe financiare, në mënyrë që vendimarrja në Kuvendin Komunal të jetë e drejtë për të gjitha palët në këtë proces.