Në vitet shtatëdhjeta në Kosovë kishte nisur të lulëzojë muzika rock, kurse padyshim se njëra prej grupeve më të njohura ishte grupi MAK nga Mitrovica, i formuar në vitin 1973. Atëbotë Naim Kurteshi nga Gjilani, ishte dhjetëvjeçar, por ai ishte i dhënë pas muzikës së këtij grupi, të cilin e adhuronte shumë dhe që nga ajo kohë e deri më tashti ai mbetet adhuruesi më i madh i këtij rock grupi.
Kur në vitin 1976 ky grup po jepte koncert në ish-shtëpinë e armatës në Gjilan, Naim Kurteshi e kishte të pamundur të futej brenda dhe po shikonte e dëgjonte jashtë dritareve koncertin. Me gjithë planin e bërë dhe përgatitjet as djali i axhës së tij, që ishte më i madh në moshë nuk ia kishte dalë të incizonte koncertin në magnetofon, ashtu siç ishin marrë vesh më parë, ngase xhamat e dritareve po dridheshin.
Naim Kurteshi në moshën e rinisë
Viti 1985 shënon një kthesë, kur Naim Kurteshi kishte përpiluar një album me pyetje përgjigje dhe duke qenë adhurues i grupit MAK, Naimi kishte dëshirë që pyetjeve të tij t’i përgjigjen pikërisht anëtarët e këtij grupi dhe në 83 pyetjet e tija i ishte përgjigjur Xhevdet Gashi, që në grupin MAK luante në organo. Naim Kurteshi me fanatizëm i kishte ruajtur ato përgjigje dhe ende adhuronte atë grup muzikor, megjithëse grupi ishte shpërndarë në vitin 1978.
Naim Kurteshi vazhdonte të mbante kontakte me Xhevdet Gashin, kurse gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, tre orë para se të arrihej marrëveshja në Kumanovë, nga banesat e tyre nga forcat serbe ishin nxjerrë dy anëtarë të këtij grupi, solisti Haki Misini dhe Mehmet Tupella, baterist.
Naim Kurteshi e kishte përjetuar rëndë faktin se për fatin e këtyre dy anëtarëve të grupit nuk dihej asgjë. Ai në këtë periudhë shkroi 8 poezi, të cilat i dedikoheshin grupit MAK dhe krahas 20 këngëve të këtij grupi, ai nisi të mbledh artikuj të shkruar për këtë grup, fotografi, kastën që enkas për të ia kishte incizuar Xhevdet Gashi dhe shfrytëzoi shumë materiale në gazeta që ishin shkruar për këtë grup, duke qenë se babai i tij Mehmet Kurteshi – Pozharani me pedanteri kishte ruajtur shtypin e kohës në shtëpinë e tij.
Sikurse familjarët e Haki Misinit dhe të Mehmet Tupellës edhe Naim Kurteshi ishte shumë i brengosur për fatin e tyre, andaj i prekur thellë dhe i zhgënjyer për mos zbardhjen e fatit të tyre ai pushoi një kohë në mbledhjen e materialeve dhe kur më 2005 u gjetën eshtrat e dy anëtarëve të këtij grupi dhe u rivarrosën ata dhimbja u rrit edhe më shumë.
Në vitin 2022 te Naim Kurteshi sërish u ngjall dëshira që të bëjë diç për grupin e tij që e adhuronte aq shumë, që së paku të lë një broshurë apo skripte për këtë grup dhe shtytja më e madhe ishte nga Xhevdet Gashi, që ky projekt të shndërrohej në libër, andaj Naimi nisi edhe më tepër të hulumtojë materiale, të intervistojë anëtarët e mbetur të grupit dhe libri u kompletua në masë dhe u bë gati për botim.
Naim Kurteshi
Një ëndërr po bëhej realitet, një libër i veçantë për muzikën tonë rock dhe për kulturën tonë po shihte dritën dhe duke qenë i tillë, autori me të drejtë kërkoi nga Ministria e Kulturës që ky libër të gjejë përkrahjen financiare, kurse e dinte se edhe donatorët do të ishin aty. Por, përgjigja ishte e befasishme, ministria nuk e përkrahu librin, kërkonte më shumë hollësi, të dhëna për përmbajtjen e librit, të cilat autori me kohë i kishte sqaruar në kërkesën e bërë.
“Unë edhe më tej besoj se një libër i tillë duhet të përkrahet nga shteti, kompanitë e individët”, thotë autori Naim Kurteshi, që shton se libri do të përkthehet edhe në gjuhën angleze nga profesori Avni Islami dhe shton se libri është paraparë të ketë tre kapituj, në të cilin do të përfshihet albumi i autorit, krijimtaria muzikore e grupit MAK dhe çfarë kanë thënë të tjerët për këtë grup.
Ky libër do të zinte vend edhe në bibliotekat evropiane dhe nëpërmjet tij botës do t’i bëhej me dije se në Kosovë roku dhe kultura jonë për këtë muzikë daton që nga vitet shtatëdhjeta, por njëkohësisht botës do t’i bëhej me dije se në Kosovë gjatë okupimit serb gjenocid ka patur edhe në kulturë.
Është mëkat që një libër i tillë i veçantë të mos e shoh dritën, andaj ky libër meriton përkrahje nga shteti, komuna e donatorët e libri nuk guxon të mbetet peng i kushteve materiale. Një libër të tillë e meritojnë Haki Misini – solist, Halil Bajraktari – bas kitarist, Sedat Jusufi – solo kitarist, Mehmet Tupella – baterist, Xhevdet Gashi – organo dhe Rexhep Xhemajli – baterist. E meritojnë fansat e shumtë të këtij grupi, e meriton edhe Kosova, që ka shumë pak, për të mos thënë fare libra të llojit të tillë./kryelajmi.com/