Zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, i është bashkuar diskutimit të furnizimit me libra për nxënësit, dhjetë ditë para fillimit të procesit mësimor. Ai ka mbështetur konstatimin e Ministres Nagavci se blerja e teksteve shkollore nga shtëpitë botuese po i kushton shtrenjtë buxhetit të shtetit.
Sipas Kelmendit, në pesë vjetët e fundit janë shpenzuar afër 52 milionë euro për libra shkollorë, e kjo, sipas tij, pasi librat po shiten me çmim 27-30 euro, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai tha se kjo nuk do të lejohet në Qeverinë Kurti.
“Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar afër 52 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore nga shtëpitë botuese. Janë të papranueshme, të paarsyeshme dhe abuzuese çmimet e librave 27 e 30 euro. Sigurisht kjo nuk do të lejohet në qeverisjen tonë”.
Kelmendi tha se ideja që e propozoi MASHT-i, që prindërit t’i blejnë librat për fëmijët e tyre e të rimbursohen më pastaj nga ministria, po bëhet me qëllim që të pengohet abuzimi me buxhet të shtetit.
“Në anën tjetër, reagime të pritshme nga grupet e interesit për të mbrojtur abuzimet me tekstet shkollore. Kjo nuk kalon!”, reagoi ai në Facebook. /Reporteri.net/.