Problemet e Gjilanit mund të jenë të shumta, mirëpo zbulimi i lojtarëve të rinj nuk është njëri ndër to.
“Skifterat” e nisën sezonin e ri me lojtarë të rinj nga akademia, të cilët në dy ndeshjet e para treguan paraqitje shumë të mira. Ndër ta ishte edhe Oltion Bilalli, i cili pos këtij sezoni, pjesë e SC Gjilanit ishte edhe sezonin e kaluar.
I dalur nga akademia e këtij klubi, në vitin 2020, Bilalli iu bashkua fillimihst akademisë së klubit, Balikesir, teksa për sezonin 2020/21 u inkuadrua në ekipin e parë, i njohur si Balikesirspor.
Balikesirspor bën pjesë në ligën e katërt të Turqisë, gjersa Bilalli u paraqit me klubin turk deri në verën e vitit 2022.
Vitin e kaluar, 21-vjeçari u ‘rikthye në shtëpi’ te Gjilani, kështu duke vazhduar me paraqitjet e mira edhe në Superligën e Kosovës.
Në një intervistë ekskluzive, Bilalli foli për fillim e sezonit të ri në Superligën e Kosovës, duke theksuar se gjithçka po shkon mirë.
“Në këtë fillim të sezonit po kaloj shumë mirë. Në ndeshjen e parë kemi marrë një barazim të rëndësishëm kundër Prishtinës, duke i marrë parasysh gjitha gjërat që kanë ndodhur me klubin, nga fillimi i kampionatit me vonesë nga ana jonë e gjitha me radhë. Mendoj se në ate ndeshje barazimi ishte rezultat pozitiv për ne. Sa i përket ndeshjes me Feronikelin ’74, mendoj se ishim të pafat duke e pranuar një gol në fund të ndeshjes.” – tha fillimisht talenti gjilanas.
Tutje, Bilalli tregoi për përvojën e tij personale pas problemeve të Gjilanit, si dhe bëri me dije se ka refuzuar oferta tjera për Gjilanin.
“Për mua personalisht ka qenë një periudhë mjaft e vështirë, duke e marrë parasysh largimin e presidentit Florim Zuka dhe të disa lojtarëve. Kishim një faze 2-3 javore ku nuk e dinim se çfarë do të ndodh me klubin. Kam pasur shumë oferta nga klube të ndryshme në Kosove dhe Shqipëri, por unë jam nën kontratë edhe 1 vit me SC Gjilanin dhe pas ardhjes të disa investitorëve te ri, trajnerit Mezani, si dhe disa lojtarëve mendoj së gjërat do të rregullohen shumë mirë.” – vazhdoi ai.
Për Gazeta10, Bilalli bëri publike edhe objektivat e tij për të ardhmen.
“Objektivi im personalisht është që të kem paraqitje sa më pozitive në çdo ndeshje, të ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave dhe shpresoj që të jetë një sezon shumë i mirë për mua ashtu edhe per klubin e SC Gjilanit.” – përfundoi ai.
SC Gjilani pas dy ndeshjeve të para të këtij sezoni ka grumbulluar një pikë dhe e gjen veten në pozitën e tetë në tabelë.
Oltion Bilalli ka përfaqësuar në dy ndeshje Kosovën U21, gjersa më herët është grumbulluar edhe me Kosovën U17 dhe atë U16.