Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se kjo parti ka për qëllim që ta përmbyllë procesin e vettingut përmes programit të tyre të ri partiak. Mirëpo, tha deputetja, LDK s’e ka për qëllim të ndërhyjë në drejtësi, siç thotë se po bën partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
“Sot s’ke vetting. Nuk e ke vettingun që është nisë, por ne mbetjet duhet t’i përmbyllim, duhet t’i përfundojmë. Atë që ka mbetur nga vettingu duhet ta përmbyllim njëherë e përgjithmonë. Dhe kokat që preken preken”, deklaroi ajo në Klan Kosova, transmeton gazeta online Reporteri.net.
E pyetur se a do të thotë kjo se edhe LDK po do që të ndërhyjë në drejtësi, Kica-Xhelili u shpreh se duhet bërë një dallim mes reformimit të drejtësisë dhe ndërhyrjes në të.
“Ta bëjmë një dallim mes reformimit në drejtësi dhe ndërhyrjes në drejtësi. Reformimi në drejtësi është kur ti përdor kanale demokratike dhe kushtetuese të reformimit të drejtësisë. Kapja e drejtësisë është kur ti në mënyrë jodemokratike, me gjuhë arbitrare dhe populliste flet për raste individuale, flet për individë të përveçëm dhe dëshiron të bësh shantazh karshi secilit. Kjo nuk është reformë në drejtësi”.
“Nuk është reformë në drejtësi të dalë kryeministri i vendit dhe të thotë nuk emërohet kryeprokurori pa bekimin tim. Ajo nuk është reformë në drejtësi. Ajo është ndërhyrje në drejtësi”, shtoi tutje ajo.
Sipas deputetes opozitare, LDK s’do ta shkelë vijën e hollë mes reformës demokratike dhe jodemokratike.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është bërë kuturu, është bërë mbi fundamente demokratike. Rrjedhimisht, prekja e saj mund të kuptojë jodemokratizimin apo fuqizimin e demokratizimit. Ne nuk duam të bëjmë reformime jodemokratike, sepse ato nuk janë reforma, janë ndërhyrje”. /Reporteri.net/.