Nga Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ishte i gatshëm për ta pranuar propozimin, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili pranoi propozimin për kompromis.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, potencon se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e pranoi propozimin e BE-së, për zbatimin e Marrëveshjes.
Gjithashtu, në këtë deklaratë thuhet se Vuçiq në tavolinën e bisedimeve ka ardhur me një propozim tjetër, por që në fund pranoi propozimin e BE-së.
“Më duhet të them se presidenti Vuçiq e pranoi propozimin e Bashkimit Evropian për zbatimin e Marrëveshjes. Ai erdhi me një propozim tjetër, por më në fund e pranoi propozimin tonë”, thuhet në deklaratë, transmeton teve1.info
Tutje, është përmendur se edhe pas përpjekjeve të shumta nga ana e ndërmjetësuese, nuk ka qenë e mundur të kalonin sot diferencat.
“Ne u përpoqëm shumë, por për fat të keq, nuk ishte e mundur të kalonim diferencat sot”.
Ndërkohë, Borrell në deklaratën e tij ka thënë se sa i përket veriut të Kosovës nuk ka pasur ende de-përshkallëzim të tensioneve.
“Më duhet gjithashtu t’ju informoj se nuk ka pasur përparim në de-përshkallëzimin e tensioneve në veri të Kosovës”.
“Sot, ne përsëri i kërkuam të dyja palët që të ndërmarrin veprime të menjëhershme në veri të Kosovës për të de-përshkallëzuar situatën, për të shmangur çdo destabilizim të mëtejshëm dhe për të mundësuar mbajtjen e menjëhershme të zgjedhjeve të reja të parakohshme lokale. Nuk mund të rrimë e të presim krizën e radhës. Kjo duhet të ndodhë menjëherë, në përputhje me kërkesat e bëra nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar”, thuhet tutje në deklaratë.
Në fund të deklaratës thuhet se pa normalizim, nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën e as Serbisnë.
“Më duhet t’u kujtoj se rruga edhe për Kosovën edhe për Serbinë kalon përmes Dialogut. Nuk ka rrugëdalje. Nuk ka zgjidhje tjetër. Pa normalizim, nuk do të ketë të ardhme evropiane as për Kosovën, as për Serbinë. Kosova dhe Serbia rrezikojnë të mbeten prapa kur partnerët e tjerë rajonalë po lëvizin më shpejt drejt Evropës”.