Kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi, shkruan Gazeta Sinjali.
Si rrjedhojë e këtij vendimi, gjykimi i Krasniqit do të vazhdojë në procedurë të rregull.
Sipas kushtit të gjykatës, Krasniqi nuk do të lejohet t’i afrohet disa dëshmitarëve të rastit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvëndësimin e masës së paraburgimit me masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me masën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë.”, tha Gashi.
Kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, u arrestua më 19 prill 2023 nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale, ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ , dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
Siç kishte njoftuar Prokuroria Speciale, gjatë bastisjes ishin sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.
Pas bastisjeve, Krasniqi kishte kërkuar trajtim mjekësor në QKUK, por më pas e kishte refuzuar
Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës kishte deklaruar se nuk ka ndonjë informacion zyrtar për kontrollin e kryer nga Policia e Kosovës në zyrat e këtij institucioni të mërkurën.
“Megjithatë, KEK mbetet në funksion të përmbushjes së interesit të përgjithshëm publik për prodhimin e energjisë dhe ofrimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike të qytetarëve të vendit”, thuhet në njoftim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.