Shkolla e Mesme Ekonomike “Marin barleti” në Gjilan, ka fituar një donacion tejet të rëndësishëm nga Zvicra për nevojat e nxënësve të saj. Bëhet fjalë për inventar karriga, banga si dhe dollapë e tabela në vlerë të përafërt rreth 30 mijë euro.
Sipas Fatlume Behluli, drejtoreshë e Shkollës së Mesme Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan, mësohet se shkolla që drejton, “Marin barleti”, ka pranuar një donacion tejet të rëndësishëm me inventar, në vlerë të përafert rreth 30 mije euro, me banga dhe ulëse për nevojat e nxënësve të kësaj shkolle.
Numri i konsiderueshëm i bangave, karrigave dhe inventarit tjetër të ardhur sot, plotëson nevojat e nxënësve të pesë klasëve të shkollës “Marin Barleti”, marrë parasysh mesatarene tyre nëpër klasë, ndërsa në vitin e ri shkollor 2023/2024 ata do të kenë kushte shumë më të mira për mësim, pasi në bangat e tyre janë të integruara edhe dollapë të posaçëm për mjete konkretizimi e mësimi.
Përveç kësaj, nevojat e këtyre nxënësve do të plotësohen edhe me vitrina e dollapë, nëpër të cilat do t’i sistemojnë pajisjet e tyre aq të nevojshme për mësim cilësorë në shkollë, krahas standardeve bashkëkohore.
Ky donacion është realizuar me përkushtimin permanent të bashkëatdhetarit Agon Behlulit nga Gjilani, i cili jeton e vepron në Zvicër, e i cili ka qenë i angazhuar maksimalisht edhe në të kaluarën me dy donacione paraprake. Ky donacion marramendës është i treti i realizuar me kontributin e tij për nevojat e shkollave të Gjilanit, këtë radhë i destinuar për Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”.
Familja Behluli, e cila njihet për kontributin e saj të madh për arsimin dhe arsimimin në tërësi, mbetet e përkushtuar maksimalisht që të vazhdojë me atë trend kontributdhënës edhe në të ardhmen, marrë parasysh nevojat e shumëta e akute nëpër shkollat tona, madje herë – herë imediate e të patjetërsueshme për kompletim me infrastrukturë dhe inventar adekuat në shërbim të nxënësve.
Drejtoresha Fatlume Behluli me këtë rast është shprehur mirënjohëse e falënderuese ndaj Shkollës Ekonomike “Gewerbliche Berufsschule”, me seli në Wetzikon të Zvicrës, e cila shkollë ka ndihmuar me këtë donacion Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti” në Gjilan, shkruan TV Gjilani.