Artan Bunjaku, djali i axhës së policit Afrim Bunjaku, që u vra në orët e para të mëngjesit në veri, ka një porosi për kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit që në dialog me Serbinë të mos i përdorë pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Familjari Arton Bunjaku tha se ky është një lajm i kobshëm për familjen Bunjaku nga Samadrexha e Vushtrrisë dhe se lajmin e ka marrë në orët e hershme të mëngjesit.
Djali i axhës së policit tashmë të vrarë, Afrim Bunjaku, në një prononcim të shkurtër për media, i bëri thirrje kryeministrit të vendit, Albin Kurti, “që t’i mos i përdorë uniformat e policisë në veri, por të merret me bisedime”
“Lajmin e kam marrë rreth orës 5 të mëngjesit nga Policia e Kosovës, kemi qenë të gjithë shokuar se e dimë gjendjen në veri dhe lutemi që këto raste të mos ndodhin prapë sepse jeta e policëve tanë çdo ditë po shuhet. I ndjeri ka lënë tre fëmijë, një vajzë dhe dy djem. E kemi pasur të vështirë t’i njoftojmë, por me ndihmën e Policisë dhe emergjencës, kemi arritur që ngadalë t’i njoftojmë dhe t’i qetësojmë. Prej që kanë filluar trazirat, vazhdimisht ka qenë në pjesën veriore, me net të tëra ka ndenjur në male. Është nder dhe krenari t’i shërbejmë vendit, por jo në këtë mënyrë ku nuk kemi mbrojtje prej askujt dhe as përkrahje nga ndërkombëtarët.Unë kisha pas një thirrje drejt kryeministrit të Kosovës që të merret me bisedime e mos të na i përdorë uniformat tona në veri dhe mos të humbim edhe jetë tjera”, tha Bunjaku.