Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur “Hero i Kosovës” policin e vrarë dje në orët e para të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit, Rreshterin Afrim Bunjaku.
Në mbledhjen komemorative në nderim të policit të rënë në detyrë, Presidentja Osmani i ka ndarë çmimin “Hero i Kosovës” familjes së policit Bunjaku.
Osmani tha se rreshteri i vrarë u sfidua nga bandat e Beogradit ndërsa ra në mbrojtje të dinjetit të Republikës së Kosovës.
“Ai ra në mbrojtje te dinjitetit të Republikës sonë. Kosova nga sot ka edhe një hero i cili sakrifikoi jetën për sigurinë e qytetarëve tanë. Afrim Bunjaku u sfidua nga bandat e Beogradit. Heroi ynë ishte një shtyllë e fuqishme e Policisë se Kosovës, ai tregoi trimëri të pashoq. Afrimi na kujton se heronjtë nuk lindin por bëhen me veprat e tyre. Republikën e Kosovës nuk do të arrij askush ta gjunjëzojë e ta ulë. Lavdi dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për Afrim Bunjakun”, tha Osmani në mbledhjen komemorative.
Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra të dielën pas një sulmi nga një grup i armatosur, terrorist në Banjskë të Zveçanit.