Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për zhvillimet e fundit në veri, ku të dielën një rreshter i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë si pasojë e një sulmi terrorist nga një grup i organizuar i serbëve.
Kurti tha se të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare dhe po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste të cilët, siç tha Kurti, Qeveria e tij i ka luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kryeministri tha se armatimi i sekuestruar në Banjskë ishte në sasi të mjaftueshme për qindra ushtarë, që siç tha ai skenar kishin të shkaktonin gjakderdhje në Kosovë. Ky thotë kryeministri synohej të bëhej me përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes.
Kurti vlerësoi edhe punën e Policisë së Kosovës, teksa tha se mirënjohja për ta sot duhet të vijnë nga të gjithë qytetarët e vendit.
“Të dielën është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Po atë ditë është dëshmuar rreziku, qëllimi, potenciali dhe gatishmëria e grupeve kriminale dhe terroriste të cilët i kemi luftuar për më shumë se dy vjet e gjysmë. Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit ushtarak dhe sasi të mjaftueshme për një sasi prej qindra luftëtarësh, është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë. Aty janë përfshirë individë të sanksionuar nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar për aktivitete kriminale. Ata janë në kërkim të institucioneve tona të drejtësisë për vepra penale në Kosovë. Ata shfaqen në krah e përkrah e në një tryezë me presidentin serb duke paralajmëruar rolin e drejtpërdrejtë të shtetit serb në këtë mes. U dëshmua profesionalizimi i jashtëzakonshëm i Policisë së Kosovës, i insitucioneve tona të sigurisë në përgjithësi. Është dëshmuar kapaciteti i tyre i plotë për të mbrojtur Republikën. Ky është suksesi më i madh i tyre që nga shpallja e pavarësisë. Kjo na bën krenarë të gjithëve, andaj sot ju ftoj të gjithëve juve këtu dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës që ti falënderojmë pjesëtarët tanë të Policisë në uniformë kudo e kurdo që i shihni- në mëngjes, gjatë ditës a në mbrëmje, në rrugë, sheshe a vend të punës.
Kryeministri foli edhe për përfshirjen e Millan Radojçiqit në këtë sulm terrorist, pjesëmarrja e të cilit Kurti tha se është dokumentuar edhe përmes pamjeve të publikuara.
“Sulmi terrorist i së dielës ekspozoi edhe vështirësitë dhe nevojën për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar në ruajtjen , mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit me Serbinë dhe kërkesa të prera ndaj Serbisë nga komuniteti ndërkombëtar. Pas dokumentimit të pjesëmarrjes në këtë sulm terrorist të nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq është vërtetuar edhe një gjë që meriton vëmendjen e të gjithëve: rëndësia jetike e ringjalljes së pluralizmit të serbëve në Kosovë. Nuk ka demokraci e liri pa pluralizëm. Meqë sulmi i së dielës ishte aq djallëzor sa për të vendos në mes një kult fetar, i cili po ashtu është monument i trashëgimisë kulturore, i mbrojtur me ligjet e Kosovës”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Në këtë mbledhje Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë 50 mijë euro për familjen e policit Afrim Bunjaku, i vrarë të dielën në veri.