Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe një dëshmi se në aksionin terrorist në veri ka dorë Serbia, shkruan Reporteri.net.
Sipas Sveçlës, dokumenti i mëposhtëm vërteton se ushtria serbe i ka dhënë grupit kriminal në Banjskë lansues të granatave.
“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, shkroi Sveçla në Facebook.
Ministri kosovar thotë se “Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht”.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka publikuar më herët edhe pamje nga ngjarja në Banjskë, ku siç thotë ai, në pamje shihet Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, po ashtu pjesë edhe e Listës së Zezë të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Sveçla tha se plani i terroristëve serbë të udhëhequr nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe nën dirigjimin e Vuçiç, ishte destabilizimi i Veriut të Kosovës. Sipas tij armatimi i gjetur ishte armatim i një ushtrie të mirëfilltë për 200 persona të rekrutuar.
Sveçla më herët sot ka publikuar foton e një prej sulmuesve të vrarë, duke thënë se ishte truprojë e shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë në vitin 2013. Këto fakte, sipas institucioneve të Kosovës, dëshmojnë se Serbia qëndron prapa sulmit të armatosur të së dielës.