Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën drejtimin e kryesuesit Kushtrim Kadriu, sot, në vazhdim të mbledhjes së djeshme, ka dështuar ta miratojë propozim-buxhetin për vitin fiskal 2024, bashkë me vlerësimet e hershme për vitet 2025-2026, të cilin e ka prezantuar Ilmi Limoni, përgjegjës për Financa.
Opozita (LDK e PDK) e cila e ka shumicën në Kuvend, u deklarua kundër këtij propozim-buxheti, me arsyetim se është i planifikuar keq dhe si i tillë është i pa realizueshëm, ndërsa subjekti qeverisës (LVV) dhe partnerët e tij, vlerësuan se planifikimi është bërë mirë dhe kërkoi mbështetje nga të gjitha subjektet politike për miratimin e buxhetit.
Me 12 vota për dhe 16 kundër, Kuvendi dështoi ta miratojë buxhetin për vitin 2024 dhe vlerësimet e hershme 2025-2026 dhe pas kësaj, Kuvendi u detyrua t`i ndërpres punimet e mëtejme për mungesë kuorumi, pasi që LVV dhe partnerët e saj qeverisës e braktisën seancën.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, duke iu përgjigjur vërejtjeve, tha se mbi 50 projekte kapitale janë të planifikuara në vitin 2024 dhe një pjesë e tyre janë planifikim i hershëm për vitet 2025 dhe 2026, për të cilat nuk kërkohet planifikim i detajuar.
Sa i përket shpërndarjes së investimeve, kryetari Hyseni tha se vërejtjet nuk qëndrojnë, sepse projektet, të mëdha ose të vogla, janë të shpërndara gjithandej, ndërkohë që dha sqarime detaje për shumicën e projekteve.
Për më tepër, kryetari Hyseni tha se arsyet e opozitës për të mos e votuar propozim-buxhetin, janë të pa qëndrueshme.
‘Qasja për të përfaqësuar vetëm lokalitetin prej nga vjen një këshilltar, nuk është e mirë, sepse ne jemi këtu për më shumë se vetëm një fshat’, tha ai.
Përndryshe, buxheti i planifikuar për vitin 2024 është 34.221.119 euro. Nga grandet sigurohen 27.646.694 euro, kurse pjesa tjetër, 4.952.585 euro – nga të hyrat vetanake.
Nga ky buxhet, për paga dhe mëditje do të shfrytëzohen 15.980.563 euro, për mallra dhe shërbime – 6.721.932 euro, për shpenzime komunale – 680.081 euro, për subvencione – 1.757.592 euro dhe për shpenzime kapitale – 9.080.949 euro.