Vlera të trashëgimisë së Gjilanit ndër vite e dekada!
Kronikë nga muzeu!
Me nxënës të Gjimnazit “Zenel Hajdini” vizituam muzeun e dr. Shevqetit në oborrin e tij, i rregulluar mrekulisht dhe i pajisur me foto e faktografi të trashëgimisë së trevës sonë.
Një nga një, të bukur, pedantë, të edukuar, kurreshtar për ambientin dhe fotografitë, materialet e dëshmitë tjera të kohëve të ndryshme, zënë vend ne muze…
I mirëpret dr. Shevqeti, i përshëndet, fillon ligjërimin… Rrëfimi i tij është i rrjedhshëm, ciceron, me data e ngjarje…
Nxënësit tregohen kurreshtarë, të zgjuar, inteligjentë, bëjnë pyetje, shpërfaqin interesime…
Në këtë muze janë ekspozuar dhjetra e qindra fotografi, eksponate…
Foto, faktografi të qytetit e jetës…, e shprehur në veprimtari arsimore, kulturore, shëndetësore; etnologji, pajisje që janë përdorur në familjet tona, aparate radiosh, makina shkrimi, monodha e kartmonedha kombesh e shtetesh…
Pasi përfunduam vizitën në muzeum, doktori ftoi nxënësit të ngjiteshin në ambientet e ordinancës ku kishte libra, dokumente e shënime të rëndësishme…
Edhe aty bëmë fotografi dhe, ashtu siç hymë në ambientet e shtëpisë së dr. Shevqetit, edhe u larguam, të përshëndetur. Falenderimi për këto momente interesante të historisë së trashëgimisë ishte i dyanshëm.
Dr. Shevqeti në fund u tha nxënësve: “Kur po ju shoh ju kaq të bukur, kaq të edukuar e me kulturë, edhe unë po ndihem i rinuar! Suksese, suksese vetëm suksese! Këtu u ndamë…!
Akrepat e orës po shkonin në 12:40 kur ne lamë mjediset e kompleksit shtëpiak e muzeal të dr. Shevqetit, dhe rrugëtimi ynë na çonte në Gjimnaz, aty ku do fillonim mësimin në ndërrimin e dytë, në orën 13:05!
Edhe diçka nga notesi i shënimeve:
Ishte një mesditë e këndshme, orë mësimi për të kaluarën e me porosi për të sotmen e të ardhmen…
Nxënësit shprehën interesim të jashtëzakonshëm për atë çfarë panë dhe informacionet kronolgjike që ofroi dr. Shevqeti.
Ilir Vokshi, profesor i historisë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” përgëzoi dr. Shevqetin për muzeun dhe vlerat që mban ai, një historiografi e qytetit dhe rajonit të Anamoravës e përtej.
Dr. Shevqet Mehmeti, gjatë vizitës që i bëmë muzeut, na tha se është duke klasifikuar materialin arkivor, shënimet dhe të gjeturat në arkiva të njohura dhe do t’i konkretizojë në një libër voluminoz monografik…
Ai u shpreh se ndjehet shumë krenar me këta nxënës dhe i këshilloi që vetëm librin e mësimin ta kenë prioritet jetësor.
“Ju jeni produkt i prindërve tuaj, i gjyshërve tuaj…, prandaj duhet t’i nderojmë ata që jetuan e vepruan dje…”, u shpreh dr. Shevqeti.
Gjimnazistët në muzeun e dr. Shevqetit!
Ndani këtë artikull