Shkruan: Enver Sadiku
Kreyendeshja Drita – Gjilani që do të luhet këtë të diele me 1 tetor 2023 do të zhvillohet në Lipjan, ky është vendimi që ka marrë FC Drita, e cila në arsyetimin e vendimit ka thënë se kjo po bëhet për shkak të kushteve infrastrukturore dhe situatës së krijuar në vend ditëve të fundit dhe se ndeshja do të zhvillohet vetëm me praninë e tifozerisë vendase, Intelektualët.
Mirëpo kjo nuk është hera e parë që kryendeshja zhvillohet jashtë Gjilanit, shkruan kryelajmi.com. Arsyet janë nga më të ndryshmet, kurse kryelajmi, ju sjell të gjitha ndeshjet e zhvilluara jashtë Stadiumit të Qytetit në Gjilan.
Kryendeshjet e paraluftës u zhvilluan në livadhet e Malishevës
Për shkak të okupimit të Stadiumit të Qytetit nga forcat serbe, kryendeshjet e para në mes të ekipeve gjilanase janë zhvilluar në livadhet e fshatit Malishevë të Gjilanit gjatë viteve 1995 deri më 1997.
Kështu në këtë fushë është zhvilluar kryendeshja e parë në kuadër të xhiros së dytë në vitin 1995. Ndeshja Drita – Gjilani u mbyll me rezultat 0:2 (golashënues: Veton Xhemajli ’63 dhe Xhevdet Muji ’89), ndeshje kjo që u ndërpre në minutën e fundit dhe më pas u regjistrua me rezultat zyrtar 0:3 për Gjilanin, ngase tifozët e Dritës u futën në fushë.
Edhe derbi i dytë, Gjilani – Drita 0:2 është zhvilluar në Malishevë, në kuadër të xhiros së dymbëdhjetë në pranverën e vitit 1996. Golashënues për Dritën ishin Landrit Ibrahimi në minutën 20 dhe Milaim Zuzaku në minutën 85.
Në pranverën e vitit 1996, në Malishevë u luajt ndeshja për Kupën e Kosovës, Drita – Gjilani ’95 0:0 (4:3) pas penaltive). Për Dritën penaltitë i realizuan: Milaim Zuzaku, Bujar Ramadani, Ismajl Rashiti, Mustafë Ibrahimi, kurse huqi Bekim Isufi. Për ekipin e Gjilanit realizuan Haki Azemi, Halil Halili, Veton Xhemajli, huqën Adnan Aliu dhe Bekim Jaha.
Me derbin e katërt të stinorit vjeshtor 1997 në kuadër të xhiros së parë Drita – Gjilani 1:1 (Shënues: Kastrati në minutën 34 për Dritën e L. Ibrahimi në minutën 42 për Gjilanin), përfundojnë ndeshjet që zhvillohen nën okupim dhe në vitin 1999, të dy ekipet kthehen në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, ku do të zhvillojnë shumicën e kryendeshjeve.
Federata dënoi Gjilani, kryendeshja u bart në Prizren
Derbi i gjashtë, në kuadër të stinorit 1999/2000: Gjilani-Drita 0-3, ndeshja u zhvillua në Prizren, ngase Gjilani ishte dënuar nga Federata e Futbollit të Kosovës pasi kishte pasur parregullsi në ndeshjen e zhvilluar ndaj Prishtinës. Për Dritën shënues ishin Bekim Isufi ’25 nga penaltia dhe ’65 e Ismajli ’90.
Në Prishtinë për të luajtur finalen
Edhe derbi i dymbëdhjetë ndërmjet Gjilanit e Dritës është luajtur jashtë Stadiumit të qytetit, por kësaj radhe në Prishtinë, ku në Finalen e Kupës 2000/01 u ndeshën Gjilani-Drita 6:7 (koha e rregullt 1:1, pas penalltive 5:6 për Dritën, e cila fiton trofeun e Kupës). Shënues në kohën e rregullt ishin Muharrem Sahiti 20’ për Gjilanin dhe Xhevdet Llumnica 87’ për Dritën. Shënues nga penaltitë: Jerliu, Kollari, Sadriu, Halili, Ajeti, Muji (Gjilani), huqi Hodai në rrethin e shtatë dhe Bakia, Llumnica, Osmani, Isufi, Statovci, Salihu e Statovci (Drita).
Ekipi i Dritës që fitoi Kupën e Kosovës më 2001
Derbi i njëzet u zhvillua në Mitrovicë
Drita e Gjilanit, kampion i Kosovës në edicionin e shkuar, në mënyrë të shkëlqyeshme e kishte nisur sezonin e ri në ballafaqim me rivalin e qytetit Gjilanin, të cilën e “gostiti” jo në vatrën e saj, por në Mitrovicë, ku edhe luajti pesë ndeshjet e saj si “mikpritës” si pasojë e pezullimit të stadiumit të saj. Në ndeshjen e zhvilluar më 25 gusht 2003 rezultati përfundimtar ishte Drita – Gjilani 3:1 (Shënues: Selman Berisha 52’, Shpëtim Hasani 56’ (nga penaltia) e 79’ dhe Sabri Osmani 63’ për Gjilanin).
Për shkaqe sigurie, Gjilani e Drita bartin kryendeshjen në Prishtinë
Derbi i 44 Gjilani – Drita 0:0, në kuadër të xhiros 26 të Ipko Superligës në stinorin 2018/2019 është zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë, pasi që për shkaqe sigurie kështu kishte vendsur kryesia e Gjilanit. Në këtë kohë në Stadiumin e Qytetit në Gjilan po zhvilloheshin punime, andaj aty nuk kishte kushte që kryendeshja të zhvillohej me shikues.
Edhe derbi 52, më 26.09.2021 ndërmjet Dritës dhe Gjilanit është zhvilluar në Prishtinë, ku Gjilani ka ngadhënjyer 0:2 me golat e shënuar nga Gerhard Progni në minutën 66 që realizoi një projektil nga gjujatja e lirë dhe nga Shend Kelmendi në minutën 89. Edhe kjo ndeshje ishte bartur në Prishtinë për shkaqe sigurie.
Foto nga derbi 52, i luajtur në Prishtinë
Më pas, për shkak të punëve në Stadiumin e Qytetit derbi do të bartej në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, ku kryesisht kryendeshja është zhvilluar me numër të reduktuar të shikuesëve, por edhe pa ta, duke e qitur nën hije kryendeshjen që dikur mblidhte mijëra shikues.
Çaste nga derbi i luajtur në Stadiumin me bar sintetik në Gjilan
Ndërkohë që gjilnasit vazhdojnë të ëndërrojnë për Stadiumin e Kategorisë së Katërt edhe derbi që mendohet se është i 58-ti do të zhvillohet jashtë Gjilanit, kësaj radhe në Lipjan, por ashtu siç po zvarriten punët, gjilanasit do të ishin të lumtur që edhe njëherë të shohin kryebndeshjen e dy ekipeve tona më të mëdha në Stadiumin e Qytetit të mbushur përplot.