Ministri i Financave, Hekuran Murati thotë se në fund të korrikut 2023 është dyfishuar numri i të rinjve të punësuar në 60 mijë e 884 persona. Siç thotë ai, marrë parasysh vitin 2021, për 30 muaj, janë mbi 32 mijë të rinj e të reja që kanë filluar punën.
Murati thotë se diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e shtetit të Kosovës.
Ai ka shtuar se synimi kryesor i Qeverisë ku bën pjesë është shtimi i vendeve të reja të punës, e në veçanti, punësimi i të rinjve dhe grave, që çdoherë kanë qenë të nën-përfaqësuar në tregun e punës.
“Gjithsej të rinj të punësuar të moshës 15-24 në fillim të vitit 2021 ishin 28,293 persona. Kurse në fund të korrikut 2023, numri i tyre është mëse dyfishuar në 60,884 persona. Pra për 30 muaj, janë mbi 32 mijë të reja e të rinj që kanë filluar punën. Diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e shtetit tonë. Sepse asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë masa e mbështetje për punësimin e të rinjve sikurse me Qeverinë tonë. Një gjë tjetër që vërehet, është se nga të gjitha punësimet e reja që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, gjysma e punësimeve të reja janë vajza. Kësisoj, duke e përmirësuar edhe raportin gjinor të të punësuarve nga 62:38 djem VS vajza, në 56:44 djem VS vajza”, ka shkruar ai në Facebook.Ministri Murati ka theksuar se deri tani kanë ndërmarrë veprime e masa “rezultati i të cilave është i padiskutueshëm”, shkruan ndër të tjera Ministri.