Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se që dy vjet e gjysmë Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur vëmendje dhe investim.
Kurti ka shkruar se për Ministrinë e Mbrojtjes janë ndarë 100 milionë euro buxhet më 2021, e ku sipas tij, “tavani sa vjen e ngritet”.
“Ministrisë së Mbrojtës iu ndanë 100 milionë euro buxhet për herë të parë në vitin 2021. Prej atëherë, minimumi është aq, kurse tavani sa vjen e ngritet. Për vitin 2023, buxheti për ushtrinë është 141 milionë euro, më shumë se dyfishim krahasuar me kohën kur morëm në drejtim qeverinë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kryeministri i vendit thotë se ushtria është pajisur më mirë se asnjëherë më parë, duke përmendur numrin e ushtarëve të rinj që janë rekrutuar.
“Kemi rekrutuar 1852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve për më shumë se 2/3. Ushtria jonë sot është më profesionale dhe më e përgatitur sepse gjatë kësaj periudhe, 3325 ushtarakë kanë përfunduar trajnime profesionale jashtë vendit. Ata janë të pajisur më mirë se asnjëherë më parë, sepse investimet në armatim janë rritur për 191%. Arsenalit tonë ushtarak, ia shtuam dronët e mirënjohur luftarak Bayraktar”.
Tutje, i pari i ekzekutivit thotë se më 2021, FSK zbarkoi me ushtrinë amerikane në misionin e saj të parë paqeruajtës në Kuvajt.
“Në vitin 2021, Forca e Sigurisë së Kosovës, bashkëzbarkoi me ushtrinë amerikane në misionin e saj të parë paqeruajtës në Kuvajt. Për të vazhduar pastaj një vit pas me misionin bashkëzbarkues me ushtrinë britanike në ishujt Falkland. Kurse në fillim të këtij viti dëshmoi para botës përgatitjet dhe aftësitë e saja në misione të kërkim-shpëtimit kur në Turqi shpëtoi katër jetë njerëzish nga rrënojat e tërmetit shkatërrues atje”, ka shkruar mes tjerat Kurti.
Sa i përket “Defender Europe ’21 dhe ’23, kryeministri thotë se “ u rreshtuam krah për krah me aleatët tanë në ndërmarrjen më të madhe të ushtrimeve ushtarake në kontinentin e Evropës që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore”.
Përfund, Kurti ka shkruar: “Me Forcën e Sigurisë, të sigurtë në mbrojtje të Republikës”.