Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të kthehen në tryezën e dialogut.
Stano ka thënë se kjo është mënyra e vetme për normalizim të marrëdhënieve, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai thotë se kthimi në dialog është mesazhi i qartë i bllokut evropian dhe të gjitha vendeve partnere për Kosovën e Serbinë.
“Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell në Granada kishte një takim me presidenten Osmani dhe po ashtu edhe me presidentin serb, Vuçiq dhe mesazhi i tij ishte po ashtu mesazh nga të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe partnerët ndërkombëtarë, që të dyja vendet, Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog. Është mënyra e vetme e dukshme për normalizim të marrëdhënieve. Kthimi në dialog është mesazhi i qartë për të dy vendet. Ju duhet të ktheheni në dialog, në të kundërtën nuk do të zgjidhni mosmarrëveshjet. Gjëja e dytë shumë e rëndësishme është thirrja e vazhdueshme për deeskalim”, ka thënë Stano në një konferencë për media.
Bashkimi Evropian këmbëngul se do ta shqyrtojë mundësinë e vendosjes së masave ndaj Serbisë pasi të kenë përfunduar të gjitha hetimet rreth sulmit mbi policinë e Kosovës me 24 shtator.
Stano tha se presion nga Serbia bashkëpunim të plotë dhe pakushte në këtë drejtim.
“Pritjet tona nga Serbia nuk është se ne presim bashkëpunim të plotë, por presim bashkëpunim pa kushte nga Serbia, e kur ka vullnet ka dhe rrugëdalje. Nuk ka nevojë askush të fshihet prapa çështjeve formale si njohja apo mosnjohja e një shteti, ka mjaft mënyra se si mund të ndash të gjeturat tua, si mund të bashkëpunosh dhe të kontribuosh në hetimin e plotë. Kjo ishte diçka aq serioze që ndodhi më 24 shtator duhet të qartësohet plotësisht sepse do të ketë pasoja. Duhet të hetohet plotësisht. Nuk do të hyj në komentime individuale, por pozicioni i BE-së shumë qartë disa herë kemi thënë se presim bashkëpunim të plotë dhe pakushte nga Serbia që hetimi të përfundojë sa më parë dhe të kemi një pasqyrë të qartë se çfarë, ndodhi, si ndodhi, kush mori pjesë dhe bazuar në këtë BE-ja do të vendosë për hapat e ardhshëm”, ka thënë Stano.