Gjykata Speciale me seli në Hagë, ka aprovuar kërkesën e ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë, shkruan Reporteri.net.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, Faton Klinaku nga OVL e UÇK-së.
Siç njoftoi Klinaku, për Nasim Haradinajn kërkesa e cila iu refuzua, do të rishqyrtohet sërish pas tre muajsh.
Deri më tani, kjo gjykatë ka dënuar me 26 vjet burgim ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa, ndërsa me nga katër vjet e tre muaj i ka dënuar dy anëtarët e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, të cilët janë gjykuar për nxjerrjen e emrave të dëshmitarëve në raste të tjera.
Aktualisht, në zhvillim e sipër është gjykimi i Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i UÇK-së.
Shumë në Kosovë e shikojnë Gjykatën Speciale si të padrejtë, sepse, siç thonë, do të gjykojë vetëm pjesëtarët e një grupi etnik, në këtë rast shqiptarët, ndërsa krimet e supozuara të serbëve do të mbeten të pandëshkuara./Reporteri.net