Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani, për mosdekretim të Kryeprokurorit të ri të Shtetit, Blerim Isufaj.
Në reagim thuhet se Osmani në konferencën për medie vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirje të ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Kosovës.
“KPK-ja ka mbajtur publikun të informuar vazhdimisht lidhur me komunikimet zyrtare dhe shkresat e adresuara në Zyrën e Presidentes, si dhe më herët edhe lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, prandaj konstatoi se, Presidentja, si garantuese e zbatimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në konferencën e sotme për media vërtetoi përpjekjen sistematike për shtrirjen e ndikimit politik mbi sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës, me ç’rast lidhur me këtë çështje prezantoi arsye të paqëndrueshme për mosdekretimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, gjë që është në kundërshtim me normat ligjore dhe kushtetuese”, thuhet nga KPK-ja.
Teksa thuhet se Këshilli Prokurorial ka vlerësuar se, deklaratat e tilla publike përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në institucionin e Prokurorit të Shtetit.
Kurse lidhur me deklaratat e sotme se ka pasur presione dhe kërcënime, KPK-ja ka ftuar presidenten e vendit që nëse ka prova dhe dëshmi t’i dërgojë ato te organet kompetente, në mënyrë që sipas tyre, të ndriçohen plotësisht, sepse siç thuhet në reagim, sistemi prokurorial është institucion i veçantë kushtetues, i pavarur dhe i paanshëm, i cili kryen detyrën e vet në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.
“Me këtë rast, sa i përket vlerësimit të procedurës, Këshilli Prokurorial, theksoi se qëndron prapa procedurave të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe se deklaratat e tilla, për kinse, evidentimin e të gjitha shkeljeve nga ana e KPK-së, janë në kundërshtim të hapur dhe në këtë kuptim, Presidentja e Republikës as nuk mund të emërojë ndonjë prokuror pa propozimin e Këshillit Prokurorial, por as nuk mund të refuzojë propozimin e Këshillit Prokurorial për emërimin e prokurorëve. Siç u tha më tej në këtë takim, e vetmja hapësirë ku Presidentja e Republikës, në kuptim të kompetencës në paragrafët 5, 6 dhe 7 të Nenit 109 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, ku mund të veprojë është që mund të refuzojë një propozim të Këshillit Prokurorial nëse ai/ajo nuk i përmbush kushtet formale, por kurrsesi ta refuzojë atë për arsye substanciale. Për më tepër, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kompetenca e Presidentes së vendit për dekretim është e lidhur vetëm me propozimin e KPK-së, i cili në mënyrë unanime ka propozuar z. Blerim Isufaj, për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Në përfundim të këtij takimi, u tha se KPK-ja do të mbajë së shpejti një takim për të vendosur lidhur me hapat që do të ndjekë pas njoftimit të Presidentes për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet tutje.