Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës i kanë reaguar Ministrisë së Ekonomisë, siç thonë ata në lidhje me publikimin e lajmit se minatorët paguhen deri në 1254 euro.
Në këtë reagim thuhet se një informacion i tillë është i pavërtetë dhe propagandues.
“Me datën 27.10.2023 Ministria e Ekonomisë së Republikës së Kosovës ka bëre publikimin e një lajmi kinse paga e minatorëve në minierën Trepça Sh.A. ka vlerën prej 1254 Euro. Lajm i cili është shpërndarë në rrjete sociale dhe mediat elektronike. Me anë të këtij postimi e demantojmë fuqishëm një informacion të tillë të pavërtetë dhe propagandues. Publikimi i një lajmi të tillë qëllimin e vetëm ka dezinformimin e opinionit publik dhe krijimi i një klime negative lidhur më grevën të cilin jemi duke e mbajtur si minatorë. Si formë e përshtatshme për të humbur ndikimin dhe rendësin e grevës në opinionin publik”.
Ata kanë thënë se paga mesatare e minatorëve është 700-750 euro dhe se protesta e tyre nuk ka të bëjë me rritje të pagave.
“Ju njoftoj se paga mesatare në minierën e Trepçës së Kosovës është 700-750 euro. Dhe se informacioni i shpërndare nga ministria është i paqëndrueshëm dhe jo i vërtetë. Njëkohësisht ju njoftojmë se qëllimi i kësaj greve nuk është kërkesa jonë për ngritjen e pagave. Kërkesat tona të parashtruara në mënyrë publike tanimë e disa muaj janë të qarta dhe konkrete. Përmirësimi i kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, pagesa e pagave aktuale me kohë dhe shkarkimi i një menaxhmenti, i cili çdo ditë e më shumë është duke e shkatërruar minierën e Trepçës. Këto kanë qenë dhe mbetën kërkesat tona dhe se minatorët nuk do të dorëzohen deri në realizimin e kërkesave të tyre” thuhet në reagim.